Real Madridi po kalon një periudhë të vështirë, me humbjen e pestë të sezonit, pas një periudhe të ndërlikuar. Ekipi i Ancelottit ka pësuar tashmë dy humbje në La Liga dhe dy të tjera në 7 ndeshjet e fundit gjithsej. Ndër to, bie në sy humbja e thellë 4-0 në “El Clasico” kundër Barcelonës dhe humbja në shtëpi ndaj Milanit, që kanë lënë pasojat e tyre.
Në këtë periudhë të vështirë për Real Madridin, lojtari më i shumëpritur, Kylian Mbappé, nuk ka arritur të shkëlqejë siç pritej. Ylli franez, i ardhur nga PSG në verë, ishte transferimi galaktik që Florentino Perez kishte dëshiruar kaq shumë, por deri tani nuk i ka përmbushur pritshmëritë. Në humbjen e fundit 2-1 kundër Athletic Bilbao, francezi humbi një 11-metërsh, i dyti brenda një jave, pas atij kundër Liverpool-it (2-0) në “Anfield Road”. Ky gabim shtohet te dy të tjerët me PSG, duke e çuar në katër numrin e dështimeve nga pika e 11-metërshit gjatë vitit kalendarik 2024.
Për sa i përket rendimentit të tij këtë sezon, Mbappé ka shënuar deri tani 10 gola në 20 ndeshje gjithsej (plus 2 asistime), nga të cilat 8 në 14 paraqitje në La Liga (3 nga 11-metërshi) dhe 1 në 5 ndeshje të Ligës së Kampionëve, si dhe një gol në Superkupën Europiane kundër Atalantës. Këto shifra nuk janë alarmuese, por të gjithë në Madrid prisnin një Mbappé më të shkëlqyer dhe më të efektshëm pranë Vinícius, i cili ka shënuar 12 gola në 18 ndeshje dhe ka dhënë 8 asistime në La Liga, Ligën e Kampionëve dhe Superkupën Europiane.
Edhe Carlo Ancelotti foli për momentin e Mbappé: “Jemi penalizuar për detaje të vogla si penalltia, por nuk e vlerësoj ndeshjen e një lojtari nga një penallti. Mbappé është i trishtuar dhe i zhgënjyer, por duhet të vazhdojmë përpara”.
Pas një tjetër paraqitjeje të dobët nga Kylian Mbappé, të mërkurën mbrëma në La Liga kundër Athletic Bilbao, shtypi spanjoll nuk ka qenë aspak i butë me yllin francez të Real Madridit, duke e krahasuar atë madje me Michel Barnier, ish-kryeministrin francez, qeveria e të cilit u rrëzua po të mërkurën mbrëma. Pëpjekjet e tij për driblime krahasohen me “fjalime” që “përfundojnë në asgjë”, shkruhet në “Sport45”, portal që e “pikturon” Mbappé si “një shpirt që lëviz” në fushë.
Veçanërisht i frymëzuar është gazetari i “Marca”: “Nuk ka kujtime të një rënieje në futbollin elitar si ajo e Mbappé te Real Madridi. Një kalkun në Ditën e Falënderimeve është më i sigurt se Kylian”. Gazeta “As” e përshkruan si një “film horror” paraqitjen e Mbappé.
“Ai hyri në ‘Area 51’ dhe nuk doli kurrë”, – shkruhet me referencë ndaj bazës ushtarake amerikane që lidhet me teoritë mbi UFO-t.
“Rasti Mbappé po bëhet një film horror, – thekson “As”. – Pas një ore të mundimshme në ‘San Mamés’, pa shumë për të ofruar, i errësuar në një skuadër tashmë të zymtë, ndeshja i dha atij, ashtu si ndaj Liverpool-it, një mundësi për shpëtim dhe ai e humbi”.