Saktësia e Cristiano Ronaldos. Vizioni i Lionel Messit. Shpejtësia dhe fuqia e Ronaldos, atij nga Brazili.
Kylian Mbappe po e dërgon performancën e tij në një nivel të ri në Kupën e Botës. Ndërsa Messi dhe Cristiano Ronaldo luajnë atë që ka të ngjarë të jetë Botërori i tyre i fundit, sulmuesi i Francës dhe Paris Saint-Germainit po largon çdo pyetje se kush mund t’i pasojë ata si superylli i ri i futbollit. Mbappe bëri një tjetër paraqitje të shkëlqyer kur shënoi dy herë dhe asistoi një tjetër gol për kampionen në fuqi, Francën, në fitoren 3:1 ndaj Polonisë, të dielën, për të arritur në çerekfinale të turneut në Katar.
“Ne e dimë për Kylianin, sigurisht. Ai flet në fushën e futbollit”, tha trajneri i Francës, Didier Deschamps. “Ai mund të ndryshojë një ndeshje në vetëm një moment”.
Pasi shënoi katër gola kur udhëhoqi përfaqësuesen e tij drejt titullit katër vjet më parë si një fenomen 19-vjeçar, tani 23-vjeçari Mbappe ka pesë gola dhe është golashënuesi kryesor në këtë edicion të ngjarjes më të madhe të futbollit. Nëntë golat e tij në Kupën e Botës e bëjnë lojtarin e parë që shënon kaq shumë para moshës 24 vjeçe, duke thyer një rekord të mbajtur më parë nga Pele, i cili kishte shtatë deri në atë moshë. Nuk ka të bëjë vetëm me golat për Mbappen, karriera e të cilit vazhdon të krahasohet me Pelen, brazilianin e madh që kishte fituar dy tituj të Botës në kohën kur mbushi 21 vjet.
Mbappe është gati të ndjekë Pelen, Diego Maradonan, Cristiano Ronaldon dhe Messin në piedestalin e të mëdhenjve të futbollit.
“Ai na lëndoi sepse na eliminoi, por unë po bëj tifo për të, sepse është yll i vërtetë”, tha trajneri i Polonisë, Czeslaw Michniewicz. “Po flas për Messin, Ronaldon, Lewandowskin. Nëse dikush do t’i pasojë ata, mendoj se Mbappe është ai dhe se do të jetë lojtari më i mirë për shumë vjet”.
Duke luajtur në krahun e majtë kundër Polonisë, magjia e parë e Mbappes erdhi me një pasim për veten e tij. Në një çast, Mbappe përshpejtoi deri në 35 km/h teksa e gjuajti topin përpara në hapësirën e zbrazët. Më pas shpërtheu përpara Przemyslaw Frankowskit për ta zënë topin disa metra përpara. Ndërsa ai veprim nuk rezultoi me gol, Mbappe vendosi kuadrin për atë që do të vinte në një natë ku tregoi arsenalin e tij të plotë të “armëve”. Duke lëvizur drejt qendrës së fushës, Mbappe më pas u shndërrua në organizator, kur kaloi një pasim delikat në mbrojtjen e Polonisë për të asistuar për golin e Olivier Giroudit.
Dy golat e tij erdhën me goditje të fuqishme në pjesën e dytë, ndërsa mbrojtësit e Polonisë luftuan për të mbajtur ritmin dhe fizikun e Mbappes. Mbrojtësi i djathtë i Polonisë, Matty Cash, i cili ishte përballur me Messin dhe Argjentinën katër ditë më parë, dhe që mbrohet kundër më të mirëve në botë çdo javë me Aston Villan në Premier League, e vuri në perspektivë nivelin e Mbappes.
“Kur shikoni përfundimin e tij, atëherë e kupton se ai është i pabesueshëm”, tha Cash. “Ai është ndoshta lojtari më i mirë ndaj të cilit kam luajtur ndonjëherë”.
Shpërthimi i Mbappes pritet të jetë në pah edhe për duelin e Francës kundër Anglisë në çerekfinale. Kjo ndeshje luhet të shtunën.