Festimi me shqiponjë në Botërorin e vitit 2018 nga Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka pati bërë bujë të madhe.
Katër vjet më vonë, “The Sun” i ka kushtuar një shkrim festimit unik të futbollistëve shqiptarë.
Si Xhaka ashtu edhe Shaqiri festuan golat e tyre për Zvicrën në fitoren 2-1 ndaj Serbisë duke e bërë simbolin e trashëgimisë së tyre etnike shqiptare.
Lojtarët bashkuan duart e tyre për t’u dukur si një shqiponjë me dy koka, si ajo e flamurit shqiptar. Shaqiri atë ditë kishte veshur takat e tij të futbollit me flamurin e Zvicrës dhe të Kosovës, ku është përbuzur nga tifozët serb.
Mbrojtësi gjermano-shqiptar, Shkodran Mustafi, përsëriti festimin me duar gjatë fitores së Arsenalit në Cardiff.
Por pse është i diskutueshëm ky festim?
FIFA është nën presionin e Serbisë për të ndëshkuar golashënuesit që bëjnë këtë festim, me ata që kërkojnë një ndëshkim për dy ndeshje, i cili parashikohet edhe nga rregullorja e FIFA-s.
Duke folur për gazetarët pas asaj ndeshjeje të madhe, Shaqiri tha: “Ju mund të shihni se çfarë bëra dhe mendoj se është thjesht emocion. Jam shumë i lumtur që shënova atë gol. Nuk ishte asgjë më shumë se kaq. Unë mendoj se ne nuk duhet të flasim për këtë tani”.
Ndërsa, Xhaka tha: “Sinqerisht, kundërshtarët e mi nuk më interesuan fare se çfarë menduan për festimin e shqiponjës. Ishte për njerëzit e mi, të cilët më kanë mbështetur gjithmonë. Për ata që nuk më lanë pas dore, në vendlindjen time, ku janë rrënjët e prindërve të mi. Këto ishin thjesht emocione të pastra”.
Xhaka dhe Shaqiri u gjobitën me një shumë prej 7630 funte secili për festën e shqiponjës së Shqipërisë, e cila u quajt si një sjellje josportive nga FIFA.