Mbrojtësi i Kosovës, Leard Sadriu, po luan në Rumani për skuadrën Arges Piteshti. 24-vjeçari luajti pak minuta për Kosovën ndaj Sllovenisë më 10 tetor, ndërkohë më 13 tetor ishte në bankë në fitoren 1:0 në Suedi.
Sadriu së fundi ka dhënë një intervistë për gazetën rumune “Gazeta Sporturilor”, ndërsa ka folur për tema të ndryshme. Ndër të tjera edhe për fyerjet e tifozëve, përkatësisht të huliganëve rumunë ndaj Kosovës.
Sadriu është i pazëvendësueshëm tek Argesi. Ka shënuar tre gola në 20 paraqitje kampionale në vjeshtë.
“Tek Argesi jam pritur shumë mirë, me duar të hapura nga të gjithë. Kam punuar mirë gjatë kësaj periudhe dhe shpresoj të vazhdoj njëjtë në pjesën e dytë të kampionatit”, ka thënë ferizajasi.
Ai vlerëson se kampionati i Rumanisë është i mirë dhe hap dyer për liga edhe më të mëdha. Sadriu është i fokusuar të përfundojë me sukses kampionatin tek Argesi e më pas do të shikojë për të ardhmen.
Për Sadriun ka interesim nga skuadra të vendeve të tjera, por ai ka thënë se aktualisht e ka mendjen vetëm te skuadra ku luan.
Mbrojtësi kosovar po ndihet mirë në Rumani, ndërsa ka thënë se ky vend i pëlqen shumë. Ka treguar se njerëzit janë shumë të respektueshëm.
Grupe huliganësh rumunë vazhdimisht fyejnë Kosovën. Sidomos kur Kosova luajti në Bukuresht ndaj Rumanisë, fyerjet ishin të shumta. Në njërën prej këtyre ndeshjeve pjesë e ekipit ishte edhe Sadriu.
“Njerëzit respektojnë punën tënde dhe atë se kush je, e jo prej nga vjen. Kjo është shumë e rëndësishme për mua. Isha pjesë e ekipit nacional (të Kosovës) në ndeshjen e Ligës së Kombeve, kur ndodhi ajo që ndodhi. Si lojtar kur diçka e tillë ndodh në një vend dhe më pas hapet mundësia për transferim atje, mendon se ndoshta nuk do të pritesh në mënyrën më të mirë. Por nuk ishte ashtu. Më kanë pritur në mënyrën më të mirë të mundshme. Për herë të parë erdha këtu për ndeshjen Rumani – Kosovë. Nuk dua të flas për atë që ndodhi atëherë. Disa muaj më pas erdhi oferta. Njerëzit janë të respektueshëm dhe suksesin e kemi falë tyre. Njerëzit që e duan klubin gjithmonë vijnë”, ka theksuar Sadriu.
Sadriu ka folur për mediumin rumun për sfidat që i kishte në fillim të karrierës, si të gjithë lojtarët e tjerë në Kosovë.
Ai nuk e përjashton mundësinë që Kosova e Rumania të fitojnë ndeshjet gjysmëfinale të plejofit dhe të takohen në finale të plejofit për kualifikim në Botërorin e këtij viti. Kosova luan me Sllovakinë, kurse Rumania me Turqinë.
Në fund Sadriu është pyetur nëse ka mesazh për “ultrasit” që kanë shpalosur banerin “Kosova është Serbi”. Bëhet fjalë për grupin e huliganëve, i njohur si “Uniti Sub Tricolor”.
“Kjo është më shumë për politikë dhe nuk dua të futem në atë pjesë. Ne jemi shtet. Për këtë luajmë dhe prezantojmë vendin tonë. Nuk kemi emër tjetër. Ne jemi Kosova. Kemi flamurin tonë, historinë, identitetin tonë. Jemi vend i pranuar nga FIFA dhe UEFA. Nëse nuk jeni shtet, nuk mund të jeni pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s. Nëse vini në vendin tonë e shihni që kemi identitetin tonë. Që ekzistojmë. Unë e di se kush jemi, e di që kemi identitet. Ky është realiteti”, ka theksuar Leard Sadriu.
Ai ishte te Mura në Slloveni për tre vjet, para transferimit tek Arges Piteshti. Ka luajtur edhe për Shkëndijën e Tetovës dhe Skënderbeun e Korçës. Karrierën si i ri e nisi te Ferizaj.
Deri më tani asnjëri prej lojtarëve të Kosovës nuk ka pasur telashe në klubet e tyre në Rumani. Të gjithë kanë theksuar se janë pritur shumë mirë. Por situata ndryshon kur luan Kosova.
