Ka bërë bujë mesazhi që dhanë tifozët e Bosnjë-Hercegovinës në përkrahje të pavarësisë së Kosovës. Të dielën mbrëma në Tuzlla, në prag të ndeshjes së hendbollit mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, është shfaqur transparenti “Mirë se vini lojtarë të Kosovës së PAVARUR”.
Ky transparent është shfaqur nga tifo-grupi zyrtar i Bosnjë-Hercegovinës, BH Fanaticos. Derisa po intonohej himni i Kosovës, u shfaq mesazhi i fuqishëm i tifozëve boshnjakë. BH Fanaticos ka fituar shumë simpati te shqiptarët për mesazhin e shfaqur. Por serbët në Bosnjë-Hercegovinë kanë reaguar menjëherë. Mediat e serbëve të Bosnjë-Hercegovinës kanë reaguar me t’u shfaqur mesazhi, ndërsa të hënën me reagim zyrtar doli edhe Federata e Hendbollit e Republika Srpskas, që funksionon në kuadër të Federatës së Hendbollit të Bosnjë-Hercegovinës. Federata e Republika Srpskas e ka vlerësuar skandaloz shfaqjen e mesazhit pro-pavarësisë së Kosovës.
“Federata e Hendbollit e Republika Srpskas fuqishëm dënon veprimin skandaloz të tifozëve të Bosnjë-Hercegovinës në ndeshjen kualifikuese për Evropian në mes të hendbollistëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe të ashtuquajturës Kosova që të dielën u luajt në Tuzlla. ‘BH Fanaticos’ në fillim të ndeshjes ka shfaqur transparentin në të cilin shkruante: Mirë se vini lojtarë të Kosovës së pavarur, ndonëse të gjithë e kanë të qartë që shteti i Bosnjë-Hercegovinës nuk e njeh pavarësinë e krahinës jugore serbe. Kjo nuk është hera e parë që këta tifozë bëjnë skandale dhe gjithnjë kanë pasur qëllim të provokojnë serbët, pavarësisht që në përfaqësuese të Bosnjë-Hercegovinës luajnë edhe lojtarë të nacionalitetit serb”, thuhet në reagimin e federatës së Republika Srpskas. Sipas kësaj federate “me porosinë skandaloze në Mejdanin e Tuzllës, tifozët vetëm kanë vazhduar me praktikën e deritashme, përkatësisht me provokimin e popullit serb”. “Tani me të drejtë pyesim, deri kur më”, shkruan në komunikatë. Bosnjë-Hercegovina nuk e njeh shtetin e Kosovës pikërisht për shkak të ndikimit të Republika Srpskas në çdo vendim. Ndërkohë përfaqësuesja e Kosovës është pritur shumë ngrohtë në Tuzllën e banuar me shumicë boshnjake. Nuk kishte asnjë provokim e asnjë shenjë armiqësie. Bosnja e fitoi ndeshjen e fortë ndaj Kosovës me rezultat 25:18.
“Me Federatën e Bosnjë-Hercegovinës kemi raporte të shkëlqyera. Drejtuesit e federatës boshnjake na kanë falënderuar me dhjetëra herë për pritjen që ua kemi bërë në Prishtinë. Dhe po ashtu na kanë bërë pritje shumë të ngrohtë në Tuzlla. Çdo gjë ishte në frymën e miqësisë. Mesazhi i fuqishëm i tifozëve boshnjakë ka ngrohur zemrat e secilit prej nesh, ndërsa ka treguar se qëndrimi i shtetit të Bosnjë-Hercegovinës nuk është qëndrim i qytetarëve të këtij vendi, por rrjedhojë e kufizimeve të shumta. Si federatë jemi falënderues ndaj pritjes që na është bërë dhe ndaj tifozëve që e kanë shfaqur vetëm një realitet që e di tërë bota”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci.