Lionel Messi është i prirë të tregojë trofeun e Kupës së Botës rreth stadiumit të Paris Saint-Germainit, por klubi francez nuk po e lejon një gjë të tillë. Mësohet se në klub janë të shqetësuar për reagimin e ashpër që do të sillte gjesti i Messit te tifozët francezë. Superylli Messi e udhëhoqi Argjentinën si kapiten drejt triumfit në Katar, duke e mposhtur Francën në finale me penallti.
Ai shënoi dy gola gjatë ndeshjes, si dhe realizoi nga penalltia për fitoren 4:2. Siç raporton “Goal” të premten, 35-vjeçari Messi dëshiron të parakalojë me trofeun e famshëm të arit nëpër stadiumin “Parc des Princes”, por shefat e klubit hezitojnë duke pasur parasysh reagimin që mund të provokojë në shumë adhurues të futbollit në Francë. Sikur Argjentina të kishte mposhtur ndonjë kundërshtar tjetër përveç Francës në turneun e Katarit, nuk ka gjasa që PSG-ja të kishte një problem me Messin, i cili do ta shijonte momentin e parakalimit të trofeut të çmuar së bashku me tifozët e Parisit.
“Drejtuesit e Parisit kanë refuzuar kategorikisht kërkesën e Messit për të parakaluar përreth stadiumit me Kupën e Botës në ndeshjen e parë kampionale pas turneut të Katarit. Ata frikësohen se ky veprim i Messit mund të shkaktojë pakënaqësi të mëdha te tifozët e klubit por edhe ata të Francës në përgjithësi. Kjo kërkesë e Messit është refuzuar”, ka thënë një burim i afërt me klubin.
Mirëpo, duke pasur parasysh atmosferën e nxehtë të finales dhe mënyrën e humbjes së Francës, emocionet mund të jenë ende të mëdha për lojtarin e vetëm të PSG-së te Franca, Kylian Mbappe.
Mbappe – potencialisht emri më i madh i gjigantit francez dhe një rival i Messit si futbollisti më i madh i gjeneratës së tij – mbeti i shkatërruar pas finales, pavarësisht se fitoi “Këpucën e Artë” të turneut me tetë gola të shënuar, përfshirë edhe “hat-trickun” në ndeshjen finale.
“Po ashtu, në klub po frikësohen edhe nga reagimi i Mbappes nëse Messit i lejohet një veprim i tillë. Parisi po mundohet ta mbajë situatën e qetë brenda klubit dhe tashmë për këtë e ka informuar edhe Messin, i cili duket se nuk ka mbetur i kënaqur. Ai defilimin me trofe e shihte si një moment krenarie”, u shpreh burimi.
Kthimi i Messit në klubin francez, mund të jetë një ribashkim i vështirë në zhveshtore, veçanërisht pasi bashkëlojtari i Messit te Argjentina, portieri Emiliano Martinez, u tall me 24-vjeçarin pas finales. Veçse kërkoi një minutë heshtje për Mbappen, portieri Martinez më pas mbajti një kukull me fytyrën e sulmuesit francez, ndërsa qëndronte pranë Messit në paradën e fitores në Buenos Aires.
Mbappe tashmë disa ditë i është bashkuar Parisit në stërvitje, ndërsa Messi pritet që ditëve në vijim të jetë më pjesën tjetër të ekipit. Pra, PSG-ja është e kujdesshme për të mos ndezur ndonjë tension midis yjeve të ekipit, si dhe për të mërzitur turmën kryesisht franceze, me vendin që u zhgënjye tej mase pas humbjes në finale. Përderisa Franca nuk arriti ta mbrojë titullin e fituar të botës para katër vjetësh, Argjentina e riktheu atë pas një pritjeje prej vitit 1986. Skuadra e trajnerit Christophe Galtier kthehet në aksion pas Kupës së Botës më datën 28 dhjetor kur e pret në shtëpi Strasburgun. PSG-ja, aktualisht i prin tabelës në Ligue 1 me 41 pikë të mbledhura, pesë më shumë se skuadra e Lensi që zë vendin e dytë pas 15 xhirove të luajtura.