Lionel Messi qau kur u largua nga Argjentina. Ai ishte 13-vjeçar. Rruga “Ruta Nacional 9” nga Rosario për në aeroportin e Buenos Airesit ishte e gjatë dhe me kullota të pafundme. Pafund rrodhën edhe lotët e Messit, ndërsa tek ai filloi të paraqitej frika e një vendi të largët.
Messi, në atë kohë vetëm Leo, ishte një djalosh me ëndrra qiellore. Dhe për t’i ndjekur ato ëndrra duhej të sakrifikonte. Iu desh të përshëndetej me nxitim nga shokët, për të nisur ngritjen drejt majave të futbollit botëror.
Leos iu desh të shkonte në Barcelonë, pra të largohej nga shtëpia.
Derisa u ngrit gjatë 22 vjetëve që pasuan, nga Leo u bë i njohur si Messi fitoi shpeshherë “Topin e Artë” dhe qindra miliona euro, shtëpia nuk e la kurrë atë. Ai bëri një jetë të izoluar në Spanjë dhe dëshironte më të mirën për qytetin që i kishte dhënë formë.
Ai mbajti theksin e vendit të lindjes. E mbajti shtëpinë e fëmijërisë edhe pasi familja e tij e kishte braktisur. U martua me një vajzë qyteti në një hotel në Rosario. Ai fliste se si një ditë donte të kthehej. Ndërkohë u dha formë dëshirave të tij për futboll. Ai donte më shumë se çdo gjë që ta bënte të lumtur Argjentinën. Ai donte “më shumë se kushdo” që ta sjellë Kupën e Botës në Argjentinë.
Dhe, në Botërorin “Katari 2022” Messi e realizoi ëndrrën. Ai puthi një trofe që shkëlqente dhe e ngriti me 25 nga miqtë e tij më të mirë që e rrethonin. Lumturia e skajshme ia zdriste fytyrën.
Gjatë rrugës drejt çmimit kryesor në futboll, Messi fitoi diçka tjetër që dikur dukej po aq e pakapshme: dashurinë e pavdekshme të vendit të tij.
Në Kupën e pestë dhe të fundit të Botës, Messi u kurorëzua me titullin kryesor. Ai ishte kapiten dhe lider i Argjentinës në Botërorin e Katarit, duke shënuar shtatë gola në po aq ndeshje të luajtura. Pos që fitoi trofeun e vetëm që i mungonte në koleksionin, Messi u shpall edhe lojtari më i mirë i Botërorit.
Lëvizja e Messit për në Barcelonë
Leo lindi me talent të jashtëzakonshëm në një familje të zakonshme, e cila jetonte në një shtëpi modeste në një rrugë njëkahore në jug të Rosarios. Babai i tij punonte në një fabrikë çeliku. Nëna e tij pastronte shtëpitë për të ndihmuar në sigurimin e kushteve më të mira për jetesë.
Leo ishte djali i tyre i tretë dhe ëndërrimtar si shumë fëmijë argjentinas. Ai luante në fushat pranë shtëpisë, me një top që dukej si i lidhur në këmbën e tij magjike të majtë. Fëmijëria e tij ishte e mirë, deri në momentin kur Leo nuk po rritej më. Rreth moshës 10-vjeçare, Leo u diagnostikua me një mungesë hormoni. Mjekët rekomanduan ilaçe që ishin të rënda dhe të shtrenjta. Leo u detyrua të injektonte ilaç në këmbët e tij çdo ditë.
Sigurimi shëndetësor i familjes së tij dhe klubi i tij i atëhershëm, Newell’s Old Boys, mbuluan një pjesë të kostos.
Por më pas Argjentina u zhyt drejt krizës ekonomike. Klubi Newell’s nuk ndihmonte. Dhe për familjen Messi paratë ishin të mangëta. Familja i kërkoi një klubi tjetër që do të ndihmonte në financimin e trajtimit të Leos, që kushtonte 1000 dollarë në muaj. Në vjeshtën e vitit 2000 famillja zbarkoi rreth 6500 milje larg, në Spanjë.
Barcelona, në një mënyrë, shpëtoi talentin e jashtëzakonshëm në trupin e imët të Leos. Drejtuesit dhe agjentët arritën një marrëveshje që u bë një nga marrëdhëniet më të frytshme në klub – lojtar në historinë e futbollit.
Messi për mbi dy dekada do ta drejtonte klubin që i hapi dyert në momentin e vështirë. E ndihmoi të fitonte 34 trofe, kurse personalisht fitoi të gjitha çmimet e mundshme.
Por në muajt e parë Leo, që për herë të parë ishte jashtë Argjentinës, fshihej në dhomën e tij të gjumit dhe qante. Ishte aq i turpshëm saqë mezi u thoshte fjalë shokëve të skuadrës. Ata filluan ta thërrisnin memeci. Leo mahniste në stërvitje, por një kufizim në rregullore ia pamundësonte të luante për të rinjtë dhe talenti vuante.
Së bashku me babanë, Jorge jetonin nëpër hotele dhe apartamente, kurse nëna dhe vëllezërit e motrat, të cilët fillimisht i shoqëruan, ktheheshin në Argjentinë. Ai megjithatë shpesh qante. I mungonte familja dhe ritmi i jetës në Rosario. I mungonin ushqimet dhe dialektet argjentinase dhe mbi të gjitha njerëzit që e ushqenin. I mungonte shtëpia.
Një i huaj në shtëpi
Me kalimin e kohës, Leo u ambientua te Barcelona. Ai stërviti shumë dhe mësoi një version më metodik të lojës. Dhe për pjesën më të madhe të Rosarios ai u zhduk për disa vjet.
Edhe për futbollin argjentinas u shndërrua në enigmë. Hugo Tocalli, trajner i ekipit të të rinjve të Argjentinës, mësoi për Messin përmes një video-kasete. Në një ekran të turbullt, shihej Leo i vogël me një fanellë të madhe të Barçës, duke i shkatërruar adoleshentët spanjollë dy herë më të mëdhenj se ai. Messi dukej gati mitik. Ai ishte një i huaj në ekipin U-17 që përfshinte fëmijë vetëm nga klube argjentinase.
Tocalli e mori në Kampionatin Botëror U-17 të vitit 2003, ku, për ironi, Argjentina humbi nga Spanja. Ndërkohë, futbolli spanjoll ishte shumë i njoftuar për Messin dhe kishte filluar përpjekjen që ta rekrutonte atë. Me nënshtetësinë spanjolle, të cilën e mori në vitin 2005 pas pesë vjetësh qëndrim, Messi mund të kishte luajtur për “La Rojan”.
Megjithatë ai donte të luante përkrah idhujve të tij. Thirrjet e Argjentinës erdhën shpejt. Ajo që nuk mund ta imagjinonte kurrë ishte se me gjithë dëshirën dhe talentin jashtëtokësor, shumë nga bashkatdhetarët e tij do ta shihnin si të huaj.
Ata e takuan vetëm përmes ekraneve televizive ndërsa talenti shpërtheu te Barça. Argjentinasit u mrekulluan me një fëmijë ende të vogël që luante, sipas fjalëve të shokëve të skuadrës, si “një alien”. Por kur dëgjuan krahasimet me Diego Maradonën, Zotin e tyre fitues të Kupës së Botës, ata kundërshtuan. Maradona ishte legjendë, ndërsa Messi ende i panjohur.
Ai luajti shkëlqyeshëm, por pa pasion, pa atë zjarrin e zakonshëm argjentinas. Ai dukej më shumë si spanjoll.
Messi nisi të justifikonte krahasimet me Maradonën në fushat e La Ligas dhe ndeshjet e Ligës së Kampionëve në të gjithë Evropën. Argjentinasit mbetën të mrekulluar kur Messi shënoi gola si Maradona dhe fitoi një “Top të Artë”, praktikisht të padiskutueshëm, në moshën 22-vjeçare. Ishte i pari nga shtatë sa i ka deri më tani. Por argjentinasit kurrë nuk u identifikuan plotësisht me Messn. Kështu ata dyshuan tek ai.
Një Copa America në shtëpi në vitin 2011 solli pikën e parë të kthesës. Mes një pritjeje dyvjeçare për golin në ndeshjet zyrtare për Argjentinën, pas disa barazimeve të tmerrshme në fazën e grupeve, ekspertët dhe tifozët u kthyen kundër Messit. Ata e fishkëllenin dhe brohorisnin “Diego”. E shanë dhe i bënë thirrje të hiqte dorë.
Kjo vetëm e rriti presionin mbi Messin. Ai villte para dhe madje edhe gjatë ndeshjeve, një zakon që shumë ia atribuojnë nervave dhe ankthit. Ai ishte i dëshpëruar.
“Argjentina është vendi im, familja ime, mënyra ime e të shprehurit”, tha Messi në vitin 2014. “Unë do të ndërroja të gjitha rekordet e mia për t’i bërë njerëzit në vendin tim të lumtur”.
Por, ai nuk mundi. Në mënyrë të pashpjegueshme, ai thjesht nuk mundi. Humbi një finale të Kupës së Botës dhe dy finale të Copa America në tre vjet radhazi, 2014-16. Pas humbjes së tretë, në penallti ndaj Kilit, ai u shkatërrua.
“Unë u përpoqa shumë të bëhesha kampion me Argjentinën, por nuk ndodhi, nuk munda ta bëja”, u tha gazetarëve. Kështu që Messi u largua nga Argjentina. “Më dhemb më shumë se kujtdo”, tha ai, “por është e qartë se kjo nuk është për mua”.
Më pas, për dy muaj, ai i qëndroi vendimit.
“Kam menduar seriozisht të largohem”, do të thoshte ai përfundimisht. “Por unë e dua shumë këtë vend dhe këtë fanellë”.
I çliruar
Diçka argëtuese ndodhi në ato ditë dhe javë pas pensionimit impulsiv të Messit. Argjentina, e cila në thelb ishte distancuar prej tij, e kuptoi se kishte nevojë për të dhe filloi t’ia kthente dashurinë.
Megjithatë skepticizmi vazhdoi. Pas një Botërori katastrofal në vitin 2018, Messi përsëri mendoi të largohej.
Por argjentinasit filluan ta kuptojnë se “qëllimi i tij është ta sjellë Kupën në shtëpi”, siç tha nëna e Messit, Celia Cuccittini, në vitin 2018. “Është një nga dëshirat e tij më të mëdha. E shohim të vuajë dhe qan herë pas here. Ai është i pari që dëshiron të sjellë Kupën me vete”.
Dhe më pas, në vitin 2021, ai shkaktoi një lloj të ri lotësh. Argjentina mundi Brazilin në finalen e Kupës së Amerikës, për trofeun e parë të madh që nga viti 1993. Messi ra në gjunjë, më pas u ngrit në ajër, i ngritur nga shokët e tij borxhli, ndërsa një komentator argjentinas predikoi: “Njëzet e tetë vjet më vonë! Faleminderit Zot! Faleminderit Diego! Faleminderit MESSI!”
Ai triumf e çliroi Messin. Gjithashtu ringjalli ëndrrat argjentinase. Ai stimuloi një kombinim të fuqishëm shprese dhe krenarie që e shoqëroi ekipin në Katar. Në Katar, Messi ishte i vendosur për titullin e botës.
“Ti ke gëzuar çdo argjentinas. Seriozisht. Nuk ka fëmijë që nuk e ka fanellën tuaj, pavarësisht nëse është origjinale apo false. Vërtet ju keni lënë një shenjë në jetën e të gjithëve. Dhe kjo për mua është më e madhe se çdo Botëror. Askush nuk mund ta marrë atë nga ju. Dhe kjo është mirënjohja ime për lumturinë e madhe që u sjell kaq shumë njerëzve. Unë shpresoj seriozisht që t’i merrni këto fjalë në zemrën tuaj”, i tha Messit reporterja Sofia Martinez.