Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, ka këmbëngulur që veprimet tregojnë më shumë se fjalët, ndërsa ai dhe skuadra e tij kërkojnë t’u kthehen fitoreve në Ligën e Kampionëve.
Në gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, Milani ka pësuar katër humbje dhe ka regjistruar dy barazime. Nuk ka fituar që nga 30 shtatori, kur mposhti Lazion në Serie A, ndërsa një gjë të tillë kërkon ta bëjë të martën mbrëma kundër Paris Saint-Germainit.
Prej orës 21:00, në stadiumin “San Siro”, Milani përballet me Parisin në kuadër të Grupit F të Championsit. Para dy javësh, Parisi e mposhti 3:0 Milanin për t’u bërë lider i grupit me 6 pikë pas tri ndeshjeve të zhvilluara. Milani ka vetëm dy pikë në pozitën e fundit. I duhet patjetër triumfi ndaj Parisit për të mbajtur gjallë shpresat për avancim në fazën nokaut të Championsit. Milani ka dy pikë më pak se Borussia Dortmundi e Newcastle Unitedi, ekipe më të cilat ka luajtur pa gola në dy xhirot e para të garës elitare evropiane.
Seria prej gjashtë ndeshjeve pa fitore ka rritur presionin te Piolin, e cili e di mirë se vetëm triumfi ndaj PSG-së mund t’i qetësojë tifozët.
“Është shumë e qartë që i kemi zhgënjyer të gjithë muajin e fundit dhe duhet të reagojmë ndaj Parisit, pavarësisht se është shumë vështirë. Duhet të japim gjithçka nga vetja dhe të tregojmë një lojë madhështore në fushë. E di që unë jam përgjegjës për këto rezultate të dobëta dhe ekipi këtë e ka parasysh, andaj pres reagimin”, është shprehur Pioli të hënën në konferencën për shtyp.
Tekniku italian ka pranuar se dueli me PSG-në e përcakton fatin e Milanit këtë edicion në Champions. Për këtë duel Piolit i janë kthyer tre lojtarë të rëndësishëm. Theo Hernandez, Christian Pulishiq e Samuel Chukwueze, kanë stërvitur me ekipin të hënën dhe pritet të aktivizohen prej minutës së parë. Të tre munguan ndaj Udineses, ekip që të shtunën mbrëma e mposhti 1:0 Milanin në kampionatin italian.
“Kjo ndeshje me Parisin përfundimisht është e rëndësishme për rrugëtimin tonë në Champions dhe këtë e kemi parasysh. Më nuk mund të bazohemi të rezultatet e ekipeve tjera, por duhet të fitojmë vetë dhe të bëjmë hap para drejt avancimit tutje”, shtoi Pioli. “Mirëpo, duhet pranuar se nuk do ta kemi aspak lehtë ndaj Parisit, pasi është ekip i fortë dhe po luan në një nivel shumë të lartë. Pres një ndeshje madhështore dhe ta rrezikojmë shumë Parisin, pasi jemi gati për triumfin e parë në grup”.
Edhe te Parisi presin një përballje të vështirë ndaj Milanit. Këtë e ka pranuar trajneri Luis Enrique. Ai ka thënë se ekipi francez do t’i kushtojë vëmendje të veçantë këtij dueli, pavarësisht rezultateve jo të mira që i ka pasur Milani kohët e fundit.
Enrique pret që Milani të jetë maksimalisht i motivuar ndaj Parisit, por ka insistuar se ekipi i tij synon ta fitojë ndeshjen për t’u forcuar në krye të grupit.
“Gjithmonë jam optimist për fitore. E kemi një synim ndaj Milanit dhe ai është të kthehemi në Paris me pikët e plota. Do të jetë një ndeshje e fortë, kundër një kundërshtari të vështirë, por duhet të fitojmë nëse duam ta kalojmë grupin”, ka theksuar Enrique.
Trajneri spanjoll aspak nuk ka qenë i interesuar të flas për fitoren 3:0 që e arriti para dy javësh në Paris. Ka insistuar se kjo është një ndeshje krejtësisht tjetër dhe se nuk mund të bazohet në diçka që i takon së kaluarës.
“As që dua të mendoj për ndeshjen e parë, pasi kjo është një përballje krejtësisht tjetër. I kemi idetë e qarta dhe nuk do t’i ndryshojmë ato. Është e rëndësishme që edhe në këtë ndeshje të luajmë lojën tonë, të mbajmë topin dhe nëse bëjmë këtë atëherë do të vij edhe fitorja”, shtoi Enrique.
Të martën mbrëma, prej orës 18:45, do të luhet ndeshja tjetër e Grupit F. Borussia Dortmundi e pret Newcastle Unitedin. Në duelin e kaluar, Dortmundi e befasoi Newcastlen në shtëpi, 1:0, për t’ia shkaktuar humbjen e parë këtë edicion në Ligën e Kampionëve. Si Dortmundi ashtu edhe Newcastle kanë nga katër pikë të tubuara kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund të fazës së grupeve.
Të martën mbrëma janë ndeshjet e xhiros së katërt në grupet E, F, G dhe H.
E martë
Grupi E
Atl. Madrid – Celtic (21:00)
Lazio – Feyenoord (21:00)
1. Feyenoord 3 6
2. Atl. Madrid 3 5
3. Lazio 3 4
4. Celtic 3 1
Grupi F
B. Dortmund – Newcastle (18:45)
Milan – PSG (21:00)
1. PSG 3 6
2. B. Dortmund 3 4
3. Newcastle 3 4
4. Milan 3 2
Grupi G
Man. City – Y. Boys (21:00)
C. Zvezda – Leipzig (21:00)
1. Man. City 3 9
2. Leipzig 3 6
3. Y. Boys 3 1
4. C. Zvezda 3 1
Grupi H
Shakhtar D. – Barcelona (18:45)
Porto – Antwerp (21:00)
1. Barcelona 3 9
2. Porto 3 6
3. Shakhtar D. 3 3
4. Antwerp 3 0