Mbi 24 milionë euro kanë përfituar klubet dhe federatat sportive gjatë vitit 2025 nga Ligji për Sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Këtë të dhënë e ka publikuar të premten Fidan Shatri, ushtrues i detyrës së drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë e Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Prej kësaj shume, klubet kanë përfituar mbi 21 milionë e 308 mijë euro, ndërsa federatat 2 milionë e 737 mijë euro.
Klubet e futbollit kanë përfituar plot 9 milionë e 141 mijë euro, ndërsa ato të basketbollit plot 6 milionë e 624 mijë euro.
Milionëshin e kanë “prekur” vetëm edhe klubet e volejbollit me 1 milion e 402 mijë euro. Ndërsa klubet e hendbollit nga sponsorizimet realizuan vjet të hyra prej 947 mijë eurosh.

Më së shumti ka përfituar Federata e Futbollit e Kosovës, 1 milion e 313 mijë euro. Afër janë klubi i basketbollit Golden Eagle Ylli me plot 1 milion e 242 mijë euro dhe KB Trepça me 1 milion e 239 mijë euro. Ndonëse me shumë telashe, edhe KB Sigal Prishtina ka përfituar shumë – plot 1 milion e 210 mijë e 100 euro.
Pasojnë tri klube të futbollit – Prishtina me 1 milion e 133 mijë e 500 euro, Ballkani me 914 mijë e 500 euro dhe Gjilani me 868 mijë e 100 euro. Pas tyre është Federata e Basketbollit e Kosovës me 722 mijë euro, e pas FBK-së, KB Peja me 646 mijë e 700 euro.
Milionat për sport nga marrëveshjet e sponsorizimit janë rritur dukshëm në krahasim me vitin 2024. Vjet të hyrat ishin pak mbi 20 milionë euro.

FFK-ja ka përfituar më shumë se një vit më parë. Në vitin 2024 të hyrat e Federatës së Futbollit ishin 1 milion e 120 mijë euro. FBK-ja ka pësuar rënie të lehtë. Në vitin 2024 kishte të hyra prej 834 mijë euro.
Në vitin 2024 i pari në listë ishte klubi i futbollit Prishtina me 1 milion e 117 mijë e 500 euro. Klubi i basketbollit Trepça gjatë vitit 2024 kishte të hyra nga sponsorizimi prej 1 milion e 113 mijë euro. Shifrës prej një milioni i ishin afruar vetëm edhe Sigal Prishtina e Golden Eagle Ylli.
Dhe gjatë vitit të kaluar janë tri klube që e kanë kaluar shifrën prej 1,2 milionë euro, të gjitha të basketbollit. Ylli, Trepça e Sigal Prishtina kanë të hyra rekorde. Edhe klubi i futbollit Prishtina ka shënuar rritje të vogël me 1 milion e 133 mijë e 500 euro.
Gjithë këto miliona janë para të buxhetit të shtetit. Ligji u mundëson bizneseve që paratë që duhet t’i paguajnë si tatim në fitim, t’i ndajnë për sport.

