Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vlerëson se fillimisht duhet të përfundohen stadiumet në të cilat po punohet e më pas të vendoset për stadiumin nacional. Ai nuk shprehet i bindur se Kosovës i duhet stadiumi nacional, ndonëse këtë nuk e thotë direkt. Kosova ka aktualisht vetëm një stadium të pranuar për ndeshje evropiane. Me gjithë investimin e milionave, infrastruktura sportive mbetet larg prej standardeve të synuara
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, pajtohet që gjendja me infrastrukturën sportive në vend nuk është e duhura.
Në një intervistë për KOHËN, Çeku ka folur me theks të veçantë për stadiumin nacional, lënda për të cilin ende ndodhet në Prokurori. I pari i MKRS-së ka folur edhe për stadiumin e Gjilanit dhe atë në Mitrovicë, “Adem Jashari”.
Çeku nuk ka dhënë data, por beson se brenda 3-4 vjetëve do të mbyllet çështja e infrastrukturës në shumë arena ku po punohet ose duhet të punohet.
Për stadiumin nacional, të cilit ende nuk i është vënë gur themeli, Çeku ka thënë se duhet të mendohet mirë nëse është momenti për të filluar ndërtimin e tij.
Sipas ministrit, vetëm mirëmbajtja vjetore do të kushtonte mbi 10 milionë euro, kurse në total për ndërtimin e stadiumit nacional duhen mbi 100 milionë euro.
“Studimi i fizibilitetit për stadiumin nacional thotë se mirëmbajtja vjetore shkon mbi 10 milionë euro, ndërkaq ndërtimi 70-80 milionë euro, me çmime të asaj kohe. Dhe llogaritur tani me rritjen e materialit ndërtimor, mbi 100 milionë euro. Tani, a i kemi 100 milionë euro për atë stadium, apo mjetet që i kemi t’i shfrytëzojmë për t’i mbyllur këto që i kemi të hapura. Ta bëjmë Gjilanin me stadium, Mitrovicë ta përfundojmë, Pejën, Gjakovën dhe Ferizajn ta nisim pasi nuk ka stadium. Mbase ‘Fadil Vokrrin’ ta zgjerojmë dhe paralelisht të ulemi pastaj dhe të vendosim a kemi nevojë për stadiumin nacional, dhe nëse përgjigjja është po, natyrisht që e vazhdojmë atë projekt”, tha Çeku. Ai mendon se strategjia e sportit, në të cilin dokument po punohet, do të përcaktojë shumë çështje.
Çeku thekson se për momentin prioritet është të përfundohen stadiumet nëpër të cilat po punohet për vite të tëra.
“Për momentin kërkesa për stadiumin e Gjilanit është shumë e madhe dhe nevoja e urgjenca janë shumë të mëdha. Kemi nevojë Gjilanin ta përfundojmë për shkak të klubeve të Gjilanit, traditës, por edhe për shkak të zvarritjeve të jashtëzakonshme me atë projekt dhe ne duhet ta mbyllim atë projekt. Mitrovica ka ngelur shumë keq, sepse janë disa procedura që nuk janë përfunduar me kohë, leja e ndërtimit për një pjesë. Çështja pronësore me një pjesë tjetër. Këto janë presioni më i madh që unë e ndiej sot që duhet t’i kryejmë. Ti kryejmë njëherë këto dhe paralelisht ta mendojmë edhe stadiumin nacional. Kur e kanë nisur stadiumin nacional, kushdo që e ka nisur, gjendja ka qenë shumë e keqe. Asnjë qytet me stadium të përfunduar, përjashto ‘Fadil Vokrrin’ dhe çka kanë thënë në krejt këtë hallakamë: hajt po e nisim edhe një stadium më të madh se këta të tjerët”, thotë ministri Hajrulla Çeku.