Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka folur në lidhje me procesin e ndërtimit të stadiumit të qytetit të Gjilanit.
Çeku ka thënë se stadiumi do të përfundojë gjatë mandatit të kryetarit të tanishëm të Gjilanit, Alban Hyseni, njofton Klankosova.tv.
Ai përmendi se është interesuar shumë për gjendjen e stadiumi, për shkak edhe të kulturës që ka qytet për futbollin.
“Brenda mandatit të kryetarit të komunës do të përfundojë projekti i stadiumit, unë si ministër unë mund të mos jem, Gjilanin po e trajtojmë me shumë prioritet”.
“Gjatë gjithë vitit të kaluar, jo për shkak të presionit, por se Gjilanit iu ka bërë të padrejtë për stadiumin, për shkak të kulturës së futbollit, të dy klubeve të suksesshme, unë jam interesuar shumë”, ka thënë Çeku.
Çeku thotë se gjatë kohës sa ishte kryetar i Gjilanit, Lutfi Haziri, mungonte komunikimi me të.
“Kemi kërkuar rregullisht nga komuna e Gjilanit, në atë kohë udhëhiqej nga Lutfi Haziri, për të gjetur një zgjidhje për ta vazhduar këtë projekt, kemi pasë zero feedback, zero interesim, nuk e di pse, u desh të vinte një kryetar i ri”.
“Ka pasur momente kur nga komuna janë lëshuar lajme të rrema, sikur janë marr vesh, se ky projekt i takon vetëm ministrisë dhe komuna nuk ka asnjë përgjegjësi, përderisa krejt dokumentacionin ka qenë në komunë, sepse projekt i komunës”.
Ai thotë projekti i fazës së fundit të ndërtimit do tregojë se kur do të ndërtojë stadiumi.
“U dashtë me ardh kryetari i ri, të hulumtojë dosjen çka ka ndodhur, me ardh në përfundimin se nuk mund të vazhdojmë me operatorin që ka qenë i kontraktuar, qe as projekti i fazës së fundit nuk ekziston, prandaj me shkëput atë kontratë, tash jemi në fazën e hartimit të projektit për fazën e fundit, besoj shumë, që në pjesën e parë e vitit të ardhshëm do t’i hyjmë procedurës për ta kontraktuar ndërtuesin, që e merr përsipër për ta përfunduar, se sa zgjatë ajo na tregon projekti i fazës së fundit, a është edhe një vjet apo një vjet e gjysmë”.
“Në këtë dinamik, projekti hartohet për disa muaj në momentin që e kemi projektin, shpallet procedura për pjesën e mbetur, angazhohet operatori për ndërtim, pastaj vazhdojnë punimet”.