Federata e Futbollit e Kosovës ani pse tashmë e licencuar duke i plotësuar gjitha kërkesat nga MKRS për licencim, vazhdon të përballet me probleme dhe bllokada nga ky institucion.
Sot përfaqësues të klubeve të Kosovës kanë qenë në takim me Presidentin e FFK-së, Agim Ademi ku kanë paraqitur ankesa se si MKRS por edhe sektori i OJQ-ve po i maltreton duke i penguar në vërtetim dhe regjistrim të klubeve.
“Veteranët e futbollit dhe përfaqësuesit e klubeve bënë pyetje të shumta dhe lëvdata e falënderime për punën dhe programin e FFK-së, derisa ndër pyetjet kryesore ishin pengesat e Komisionit ministror për vërtetimet e sponsorizimit.
Ata paraqitën shumë vërejtje për pengesat që po u bëhen klubeve për këto vërtetime, përkundër licencimit të klubeve të tyre, e gjithashtu edhe për sektorin e OJQ-ve, që po i maltreton klubet për regjistrim”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Në anën tjetër numri një i futbollit kosovar u ka premtuar se FFK po punon vazhdimisht dhe do të bëjë gjighçka që klubet ta kalojnë këtë pengesë që po bëhet qëllimit.
“Shqetësimet e klubeve janë edhe brengë e FFK-së, ku padrejtësisht dhe qëllimisht po bëhen pengesa të vërtetimit të sponsorizimit. Ai bëri me dije se këtë çështje e ka ngritur deri në zyrën e ministrit dhe sigurisht që shumë shpejt do të zhbllokohet kjo çështje nga njerëz që mundohen t’i japin rëndësi vetes, duke keqpërdorur pozitat shtetërore”, ka thënë Agim Ademi gjatë takimit.
Sipas kreut të FFK-së është e drejtë e sponsorëve që të mbështesin këdo që dëshirojnë dhe këtë nuk mund t’ua ndalojë askush. Ai ka konfirmuar edhe një herë se FFK do t’u qëndrojë afër dhe do t’i ndihmojë klubet me të gjitha mundësitë e saj financiare në mënyrë që garat të zhvillohen në mënyrë të rregullt.
I pari i FFK-së ka thënë se futbolli dhe njerëzit e futbollit nuk mund t’i ndalë askush me këso veprime. Ai në fund ka falënderuar klubet dhe udhëheqësit e tyre për mbështetjen në organizim e qëndrueshmëri. /Ballkani.info