Florent Muslija po imponohet si një kandidat i fuqishëm për vend në përbërjen bazë të Përfaqësueses së Kosovës. Grumbullimi i kaluar me Kosovën ka ndezur mesfushorin, që nuk po ka të ndaluar në Bundesliga 2 të Gjermanisë.
Muslija, 24-vjeçar, të dielën shënoi supergol dhe kishte asistim në barazimin 2:2 të Paderbornit me Sandhausenin. Ai shënoi gol të rrallë nga goditja e dënimit në minutën e 19-të, ndërsa asistoi në minutën e 27-të për 2:0. Goli nga goditja e dënimit pritet të jetë kandidat për më të mirin e muajit në Bundesliga 2.
Por kontributi i Muslijës në pjesën e parë megjithatë nuk i mjaftoi Paderbornit. Kemal Ademi shënoi gol për Sandhausenin në minutën e 31-të e më pas kjo skuadër shënoi gol tjetër në minutën e 48-të për barazim të rezultatit në 2:2. Me këtë rezultat përfundoi ndeshja e xhiros së 29-të të kategorisë së dytë gjermane.
“Rezultati është i pafavorshëm për ne pas epërsisë prej 2:0. Pranuam gol të panevojshëm nga një gabim i yni. Më pas në fillim të pjesës së dytë pësuam sërish me gabimin tonë. Nuk duhet të jemi të kënaqur me rezultatin, sidomos pasi ishim duke avancuar me dy gola”, ka thënë Muslija për “ard.de”. Ai ka shprehur keqardhje që goli i bukur nuk ishte i mjaftueshëm për fitore në fund.
“Më duket kam shënuar edhe në vitin e kaluar gol të bukur që u shpall gol i muajit. Sot goli ishte i bukur, por që nuk mjaftoi”, ka shtuar Muslija.
Ai kishte startuar te Kosova ndaj Izraelit në ndeshjen e 25 marsit. Luajti 78 minuta. Më pas luajti 16 minuta në barazimin dëshpërues me Andorrën, më 28 mars. Dhe këtë muaj ka shkëlqyer, por te Paderborni. Në katër ndeshje kampionale i ka shënuar katër gola.
Shënoi ndaj Greuther Fuerthit në fitoren 3:2, ndaj Darmstadtit në humbjen 2:1, ndaj Hansa Rostockut në fitoren 3:0 dhe të dielën ndaj Sandhausenit.
Në 28 paraqitjet e këtij edicioni, Muslija ka tetë gola e katër asistime.
Te Paderborni, Muslija është prej fillimit të vitit 2022. Më herët ishte te Hannoveri, nga viti 2018 e deri në vitin 2022. Ka luajtur edhe për Karlsruhen.
Muslija kishte pesë paraqitje për U20 të Gjermanisë, ndërsa prej vitit 2019 është te Kosova. Tashmë ka arritur në shifrën e 13 paraqitjeve me “Dardanët”. Por roli i tij ishte kryesisht episodik. Me formën aktuale, ai pritet të jetë konkurrent i fortë për vend të startuesit në përzgjedhjen e Alain Giresse.