Motra e Cristiano Ronaldos ka shpjeguar arsyet pse sulmuesi i Al Nassr nuk mori pjesë në varrimin e Diogo Jotas dhe Andre Silvas.
Jota, ndërroi jetë së bashku me vëllain e tij, Silva, të enjten në mëngjes pasi Lamborghini në të cilin po udhëtonin shpërtheu në flakë pas një shpërthimi të gomës në veriperëndim të Spanjës.
Të shtunën u mbajt një ceremoni e përbashkët mortore për Silvan dhe Jotan në kishën Matriz de Gondomar, ku morën pjesë figura të njohura si Arne Slot, Jordan Henderson dhe Virgil van Dijk.
Megjithatë, Ronaldo nuk ishte i pranishëm, por motra e tij dha një sqarim publik për mungesën e tij.
Reagimi i motrës së Ronaldos:
“Kur më vdiq babai… përveç dhimbjes së humbjes, u desh të përballeshim me një lumë kamerash dhe njerëz kureshtarë në varreza dhe kudo që shkonim. Dhe atëherë vëmendja mediatike nuk ishte si sot… Në asnjë moment ne (fëmijët) nuk mundëm të dilnim nga kapela; vetëm në momentin e varrimit, sepse pati një trazirë të madhe”.
“Në funeral morën pjesë presidentë, trajnerë të kombëtares në atë kohë, si Luís Filipe Scolari, etj. Nuk i kujtoj fare. Edhe nëse më përshëndetën, nuk i pashë. Dhimbja më kishte verbuar”.

“Për sa i përket dhimbjes, familjes dhe mbështetjes së vërtetë… Nuk e kupton dot kurrë se çfarë do të thotë kjo gjë, derisa ta përjetosh vetë. Nëse dikush më dërgon një mesazh për të kritikuar vëllanë tim për çfarëdo gjëje, do ta bllokoj menjëherë. Pra, do e bëjnë vetëm një herë”.
“Po bëhet e lodhshme. Fanatizëm. Kritikë për asgjë, po e përsëris, për asgjë… Shoqëri e sëmurë… Të gjithë kemi familje. Është jashtëzakonisht e turpshme të shohësh kanale televizive, komentatorë, rrjete sociale që më shumë merren me mungesën në një varrim sesa të nderojnë me respekt dhimbjen e një familjeje të shkatërruar nga humbja e dy vëllezërve. Më vjen turp. E trishtueshme”.
“Dhe kështu shkon bota… Shoqëria dhe opinioni. Sot s’kanë më vlerë. Janë kthyer në humnera të pakuptimta. Më vjen keq… Edhe lufta është kështu. Besomëni. E keqja njerëzore është një luftë gjithashtu. Dhe çdo ditë duhet të luftojmë kundër saj. Dhe jeta vazhdon”, ka thënë ajo.