Ditëve të fundit, Muharrem Sahiti ka qenë në qendër të vëmendjes pas njoftimit të Policisë së Kosovës për intervistimin e tij dhe të tre zyrtarëve të tjerë të lartë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Policia e Kosovës njoftoi se pas hetimeve të bëra, Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë e kishte sekuestruar një veturë, e cila ishte blerë nga Federata e Futbollit, por që në ndërkohë kishte kaluar në pronësi të Muharrem Sahitit, i cili e mban postin e drejtorit të Kombëtares së Kosovës pranë FFK-së.
Ish-futbollisti i famshëm kosovar, Muharrem Sahiti, tri ditë pas intervistimit nga Policia, ka folur për “Gazetën Express” dhe e ka sqaruar gjithë situatën e kësaj veture që u bë shumë mediatike në vendin tonë.
Drejtori i Kombëtares së Kosovës thotë se veturën në fjalë e mban veç në shfrytëzim dhe se nuk është e tija personale.
“Vetura që po përmendet është aset i Federatës, unë e kam në shfrytëzim për aq sa kam kontratë unë me FFK-në. Ka qenë kërkesë e imja që vetura të regjistrohet në emrin tim dhe këtë e kam bërë shkaku i udhëtimeve të shpeshta që i kam jashtë vendit. Kjo është krejt ajo, nuk ka diçka tjetër”, thekson fillimisht Sahiti.
Ish-ndihmës selektori i Kosovës tutje thotë se ndihet plotësisht i pastër dhe tregon se vetura i është kthyer pasi fillimisht ishte sekuestruar nga Policia.
Ai ia lë në dorë drejtësisë këtë punë, të cilën thotë se e kanë nisur disa njerëz, kushedi se me çfarë qëllimi, të cilët e kanë paraqitur rastin në polici.
“Unë ndihem plotësisht i pastër, natyrisht. S’kam bërë asgjë të parregullt. Tek e fundit, le t’ia lëmë këtë punë në dorë Prokurorisë dhe Policisë, ato le ta thonë fjalën e fundit. Veturën e kam unë në pronësi ende”, shton Sahiti.
Sahiti, dikur futbollist i njohur dhe trajner, insiston se karriera e tij e pasur dhe personaliteti që e ka, nuk ia lejojnë kurrë që ta bëjë ndonjë veprim të kundërligjshëm, derisa thotë se gjithmonë ka punuar me nder dhe me qëllim të avancimit të futbollit kosovar, të cilin e kishte ndihmuar edhe në kohërat më të vështira.