Trajneri karizmatik i Prishtinës, Ismet Munishi, në një lidhje direkte me emisionin “Koha Shtesë”, në SuperSport, deklaroi se skuadra e tij nuk ka shumë gjasa për titull, por, megjithatë do të luftojë deri në fund për të nxjerrë maksimumin nga ekipi i tij:
“Ndoshta do të ishte më mirë të mos flisnim për objektiva në fillim, por është dashur të shohim se kush nga lojtarët mund ta përballojë presionin. Komplet puna te Prishtina ishte t’i ambientoja lojtarët me presionin e të luajturit të një klub i madh si Prishtina. Në çdo loje duhet të luash për fitore, prandaj më është dashur të punoj me disa futbollistë për këtë. Edhe për mua personalisht është speciale, sepse shokët dhe njerëzit e afërt të qytetit i kam afër për mbështetje, gjithmonë janë aty, në tribuna, dhe kjo po më bën të ndihem tepër mirë. “Plisat” janë duke na përkrahur shumë dhe unë, si djalë i qytetit e ndiej shumë këtë përkrahje.
Fitoret janë shumë të mira për aspektin emocional, vazhdimësinë dhe për të ardhmen. Nuk ka qenë e lehtë përballë Llapit. Ata bënë paraqitje të mirë, ishte ndeshje e luftuar dhe besoj që ata kanë luajtur ndeshjen më të mirë këtë sezon kundër nesh. Gjithsesi, neve na është dashur të komponohemi dhe nuk kanë luajtur më shpejtësinë e duhur në të kaluarën.”
I pyetur nëse kjo është sfida më e madhe në karrierën e tij deri tash, Munishi u shpreh:
“Po! Mendoj që kjo është sfida më e madhe. Unë kam qenë gjithmonë një trajner që i ka kërkuar sfidat me të mëdha dhe kjo është pa dyshim më e madhja deri tash. Normale, kjo edhe për ta bërë Prishtinën të fortë, sepse pa një Prishtinë të fortë as futbolli i Kosovës nuk është aty ku duhet të jetë.”
Tekniku 48-vjeçar foli edhe për rezultatet jo të kënaqshme në fillim dhe për mundësitë për të bërë përforcime në vazhdim të kampionatit:
“Për krizat në rezultate, ka pasur shume faktorë. Edhe pse patëm humbur në ndeshjen ndaj Dukagjinit, mendoj se kemi bërë paraqitjen më të mirë edhe statistikisht, por edhe në të gjitha elementet e lojës. Por nuk e kemi pasur fatin. Nuk mendoj se kemi bërë ndeshje të dobëta sivjet, mendoj që është dashur të kemi më tepër pikë se kaq. Kampionati është i gjatë dhe nuk mund të ndalemi me kaq. Disa ndeshje i kemi humbur edhe për mungesë të cinizmit. Unë do të isha i kënaqur që në pranverë të na vijnë lojtarë të rinj në pranverë, por edhe disa që nuk po e gjejnë veten të largohen, sepse është mirë edhe për ata të vazhdojnë diku ku mund të shfaqen më mirë.”