Klubi i Prishtinës këtë sezon është duke u paraqitur me një fytyrë ndryshe nga sezoni i kaluar, falë ndryshimeve që janë bërë në klub, duke nisur nga presidenti, trajneri e deri te lojtarët.
Kryeqytetasit emëruan trajner Ismet Munishin, i cili vie nga Prishtina e që tani po njihet me nofkën “djali i kryeqytetit”.
Me ardhjen e Munishit në krye të Prishtinës është kthyer entuziazmi në kryeqytet duke qenë temë diskutimi klubi më i trofeshëm në Kosovë.
Në një bisedë për Gazetën Enigma, Ismet Munishi ka treguar për synimet e tij që i ka në këtë sezon me Prishtinën dhe ç’ka ka arritur të ndryshoj te kryeqytetasit prej ardhjes së tij.
48-vjeçari thotë se janë të kënaqur në klub me atë se çfarë kanë bërë deri tani, ani pse kanë mundur të kenë më shumë pikë në bazë të lojës së treguar sipas Munishit.
“Na jemi të kënaqur me atë se çka kemi bërë deri këtu, kemi mujt me pasë pikë pak ma tepër me ato se çka kemi treguar në fushë, mirëpo e kemi pasur edhe orarin e vështirë, tasht në fazën e dytë e kemi orarin më të lehtë. Jam jashtëzakonisht i kënaqur me kushtet e klubit, me organizimin që e kemi bërë, me skuadrën me punën që po bëhet”, thotë Ismet Munish për Gazetën Enigma.
Ish-trajneri i SC Gjilanit, thotë se synimi i tij ka qenë me e kthy shikueshmërinë në shkallët e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Synimet janë me e kthy shikueshmërinë, na e kemi kthy shikueshmërinë, na e dimë që për momentin, Drita, Ballkani kanë skuadra shumë të mira, aty është edhe Gjilani me gjithë problemet që i ka, por ka skuadër shumë të mirë”, tregon ai.
Ismet Munishi njihet si njëri prej trajnerëve më motivues i cili krijon lidhje emocionale me lojtarët dhe tifozët. Në secilin klub që e ka drejtuar deri tani në Kosovë, ai ka qenë i preferuari i tifozërisë. E një gjë të tillë është duke e bërë edhe te Prishtina ku në takimet ndaj Ballkanit dhe Dritës, stadiumi “Fadil Vokrri” pothuajse ishte i mbushur.
Sipas Munishit, Prishtina në takimet ndaj Ballkanit dhe Dritës ka pasur shikueshmëri më shumë se të gjithë klubet e tjera deri tani.
“Objektivin e parë ne e kemi arritë, ka qenë rikthimi i shikueshmërisë, ne kemi pasur më shumë shikues në dy ndeshje. Ne më shumë kemi pasur shikues në dy ndeshje më shumë se krejt liga ç’ka kanë zhvillu ndeshje në Kosovë, domethënë ky ka qenë qëllimi i ynë”, thotë Munishi i cili thotë se objektivin e parë e ka arritur me këtë skuadër, atë të rikthimit të shikueshmërisë.
Ai ka bërë një krahasim duke thënë se nuk i ka hije Prishtinës të luajë me 100-200 tifozë si skuadrat e tjera.
“Sepse, si klubi më i madh që jemi, me historinë më të madhe në Kosovë, neve na ka hije me lujtë me plotë stadiumin, nuk na ka hije me lujt me 100 – 200 tifozë si skuadrat tjera”, shprehet ai.
I vetëm nuk do t’ia dilte te Prishtina, kështu thotë Munishi i cili ka përkrahjen e presidentit, drejtorit sportiv dhe të gjithë stafit sportiv.
“Ne jemi në rrugë të mirë në përgjithësi, si klub si organizim që është bërë me ardhjen e presidentit të ri Akif Gashi, me ardhjen e drejtorit sportiv, me stafin të cilin e kam gjetur këtu. Jemi në rrugë shumë të mirë që me ia kthy namin Prishtinë. Por unë vet nuk mundem, por bashkërisht jemi në rrugë shumë të mirë”, potencon Munishi për Gazetën Enigma.
Qytetarët e Prishtinës dhe tifozët e kësaj skuadre “Plisat” e mirëpritën Munishin në mënyrën më të mirë të mundshme, gjë e cila ish-trajnerin e Ballkanit e bën të ndjehet mirë.
“Qytetarët e Prishtinës dhe Plisat e kanë vlerësu ardhjen time në një moment shumë deçiziv, në një moment jo të mirë, e kanë vlerësu shumë dhe po më vjen mirë që shumë pozitivisht iu kanë përgjigjë ftesave tona që të vinë masovikisht në stadion dhe të na përkrahin”, tregon Ismet Munishi.
I pyetur se a pret ndeshje dhe fitore të lehtë ndaj Dukagjinit, skuadër me të cilën do të përballet në xhiron e ardhshme, Munishi shtoi se në këtë sezon nuk ka fitore të lehta.
“Nuk ka fitore të lehta, po e shohim që liga është shumë e vështirë edhe të gjithë kundërshtarët janë të nivelizuar, hiç dy ekipe që janë duke e bërë pak diferencën për momentin që është Drita dhe Ballkani, ekipet tjera janë aty – aty me nivel dhe nuk ka ndeshje të lehta. Po e shohim po ka rezultate befasuese”, shprehet ai i cili thotë se dy skuadrat që po e bëjnë dallimin në Kosovë janë Drita dhe Ballkani në këtë sezon.
Sipas Munishit sezoni i kaluar ishte një kampionat me një garë kualitative ku si pasoj e kësaj e ka prodhu një skuadër si Ballkani që po luan në Ligën e Konferencës.
“Në sezonin e kaluar e kemi pasur një garë kualitative, që e ka prodhu një skuadër që po luan në Ligën e Konferencës, është meritë e krejt Superligës së Kosovës që me ritmin e madh, konkurrencën e fortë, rivalitetin që i ka bo Ballkanit. Është produkt i rivalitetit të ligës edhe sukusesi i Ballkanit”, vlerëson Munishi.
Ai ka treguar dallimin mes këtij sezoni dhe sezonit të kaluar në Superligë.
“Këtë vit, për dallim prej vitit të kaluar është një Prishtinë më ndryshe, një Prishtinë që po lufton shumë dhe iu ka bashkangjitur këtyre ekipeve që janë në luftë për kreun e tabelës. Ky është dallimi, vitin e kaluar ishin katër skaudra, këtë vit janë pesë skuadra që luftojnë për kreun e tabelës”, përfundon Munishi.
Prishtina pas 8 ndeshjeve të zhvilluara pozicionohet në vendin e katërt me 12 pikë. Në xhiron e ardhshme luan si vendas ndaj Dukagjinit që pozicionohet në vendin e fundit me vetëm pesë pikë.