Nuk ka kaluar as një vit qëkur sulmuesi Vedat Muriqi zbarkoi në ishull për të nënshkruar me skuadrën e Mallorcas. Ishte afati kalimtar i dimrit për sezonin 2021/22 dhe Mallorcas i duhej patjetër një sulmues për të luftuar qëndrimin në La Liga edhe për një edicion. Ardhja e sulmuesit kosovar i befasoi tifozët e Mallorcas: ai nuk po luante me Lazion dhe numrat e tij nuk ishin aspak tërheqës.
Mirëpo, 14 gola në 33 ndeshje më vonë, Muriqin e shndërruan në idhull të Mallorcas. I njohur tashmë me nofkën “Pirati”, Muriqi të enjten në një intervistë për të përditshmen “Marca” e bëri të qartë se qëndrimi i tij në ishull do të jetë afatgjatë. Ai ka thënë se përkundër spekulimeve për të ardhmen e tij, është i vendosur të mbetet te Mallorca dhe se nuk i interesojnë ofertat e skuadrave të tjera. Së fundmi, është raportuar se ekipet nga Premier League, si Aston Villa e West Ham Unitedi ishin gati të ofrojnë deri në 40 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e Muriqit gjatë këtij muaji. Ai është i vendosur për t’i qëndruar besnik Mallorcas, por shtoi se klubi spanjoll mund të marrë vendim për ta shitur dhe këtu nuk mund të bëjë asgjë.
“Nuk kam menduar kurrë largimin nga Mallorca. As në janar, 100 për qind jo. Por është diçka që nuk është në dorën time, sepse ndonjëherë vjen një skuadër që mund të pajtohet me kërkesën e Mallorcas, që më thotë ‘ne të shesim’ dhe nuk mund të them asgjë. Kam një kontratë shumëvjeçare me Mallorcan dhe nuk dua të largohem kurrë. Jam i lumtur këtu, edhe familja ime, po luaj dhe po kaloj mirë, dhe për këtë arsye nuk kam menduar kurrë të largohem”, ka thënë Muriqi. “Edhe nëse ndonjë klub paguan klauzolën dhe Mallorca nuk dëshiron të më shes, unë nuk do të largohem në asnjë mënyrë. Nëse më duhet të vendos vetë, atëherë është e qartë që mbetem këtu”.
Në të vërtetë, Muriqi ka thënë se nuk ka asgjë kundër që ta mbyllë karrierën te Mallorca, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2027. Ai thotë se te Mallorca ka rikthyer formën që e kishte dikur dhe për këtë arsye është i gatshëm të jetë pjesë e klubit derisa të pensionohet.
“Po, do të pensionohesha këtu sepse mua personalisht më pëlqen shumë ky mot. Jemi në janar dhe ka diell. Familja ime është rehat, fëmijët shkojnë shumë mirë në shkollë. Ndonjëherë kur ke familje dhe fëmijë duhet të mendosh më shumë për ta sesa për veten, dhe këtë po bëj tani. Po mendoj edhe për veten, sepse jam mirë që pas Fenerbahçes, pasi kur shkova në Lazio, pata një përvojë të keqe dhe nuk dua të dështoj më”, u shpreh Muriqi, i cili tha se muajt e kaluar në ekipin nga Serie A nuk ishin aspak në mirë në çdo aspekt dhe transferimi në Spanjë e ndihmoi shumë. “E kam thënë gjithmonë se kam një mentalitet shumë të fortë. Kam kaluar dy muaj te Lazio që ishte shumë keq në të gjitha aspektet dhe gruaja ime më ndihmoi shumë për këtë, ajo ishte gjithmonë me mua. Kur erdha këtu pasi nuk luajta në Itali, e prisja me padurim debutimin. E dija që mund të ishin katër muajt e fundit në një nivel të lartë. Kjo është arsyeja pse doja t’i bëja gjërat siç duhet. Këtu që nga dita e parë më dhanë shumë besim. Edhe tifozët, prandaj doja t’ua ktheja me paraqitje të mira dhe gola”.
28-vjeçari thotë se te Mallorca e ka përkrahjen e madhe të tifozëve, qoftë në humbje apo fitore. Ndërsa, i pëlqen shumë edhe nofka “Pirati” dhe i falënderon të gjithë për dashurinë që po ia japin prejse është pjesë e Mallorcas.
“Janë njerëz shumë të qetë, të cilët nëse nuk luan mirë apo humb, sërish të mbështesin. Më kujtohet dita kur humbëm 2:6 kundër Granadas. Atë ditë, po të pyesje dikë nga skuadra, të gjithë do të thoshin se ne ishim tashmë në Kategorinë e Dytë. Por tifozët kishin besim dhe besuan në ekip. Në rastin tim, kur bën mirë, shënon gola dhe lufton, është normale që ata të duan. Një mijë faleminderit për ta sepse më japin shumë besim dhe po më bëjnë të ndihem si në shtëpinë time”, u shpreh Muriqi që foli dhe për lojën që e aplikon Mallorca. “Unë jam sulmues dhe dua të shënoj gola. Është e vërtetë që luajmë pak në mbrojtje, por në fund të sezonit askush nuk pyet se si keni luajtur, ata shikojnë vetëm tabelën dhe shohin nëse jeni në Kategorinë e Parë apo jo”.
Muriqi ka pasur fjalë të mëdha edhe për trajnerin Javier Aguirre, të cilin e vlerëson shumë. Sipas tij, Aguirre e ka ngritur nivelin e lojës së Mallorcas dhe është një trajner që i motivon të gjithë lojtarët.
“Që në ditën e parë që ka ardhur është treguar shumë i sjellshëm me të gjithë. Kur ai erdhi ne kishim 12 ndeshje pa fituar, ishim në një moment shumë të vështirë dhe mbi të gjitha ai u fokusua në mospranimin e golave. Kjo na dha shumë besim. Tani, këtë sezon, skuadra ka ndryshuar, por nuk do të thosha 100 për qind. Ai ka përfshirë gjithë përvojën e tij, është shumë i disiplinuar dhe kjo më pëlqen shumë”, pranoi Muriqi.
Ai ka pranuar se Mallorca nuk e ka rifilluar mirë sezonin pas pushimit shkaku i Kupës së Botës “Katari 2022”, por thotë se po punojnë që të kthehen fuqishëm. Sipas tij, në këtë rënie të formës ka ndikuar edhe pushimi prej shtatë javësh, por insiston se fitorja e fundit ndaj Real Valladolidit i ka dhënë ekipit besim të madh.
“Ne ishim skuadra e fundit që donim pushim në atë kohë. Në katër ndeshje shumë të vështira morëm dhjetë pikë dhe kishim shumë besim dhe dëshirë për të vazhduar kampionatin. Pas pushimit është më e vështirë sepse duhet të rifitosh besimin nga ndeshjet, por edhe nivelin fizik dhe mendor. Fitorja ndaj Valladolidit na ka dhënë shumë besim. Nuk doja një pushim në mes të sezonit, ishte më mirë si më parë, luanim të gjithë sezonin dhe më pas Kupa e Botës të mbahej në verë. Shpresojmë të fillojmë të jemi në formë si para pushimit”, shtoi Muriqi, i cili zbuloi se pas një viti qëndrimi në Mallorca po planifikon të blejë një shtëpi në këtë ishull.
Po ashtu, Muriqi foli edhe për luftën në Kosovë dhe vështirësitë që i ka pasur. Ndërsa, pranoi se kurrë nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë se do të bëhej futbollist profesionist.
“Pas luftës, ekipi nga qyteti im njoftoi se do të pranonte fëmijët të luanin dhe të stërviteshin. Nëna ime, e cila e pëlqen shumë futbollin, më shtyu të shkoja në stërvitje edhe pse ishte shumë larg shtëpisë sonë. Asnjëherë në jetën time nuk kam menduar se mund të bëhesha një lojtar profesionist. As nuk e imagjinoja të shkoja në Turqi, të shënoja gola, të shkoja në Serie A… Nuk mund ta imagjinoja kurrë sepse ishte shumë e vështirë të dilje prej andej. Në fund ia dola falë mentalitetit, punës dhe fatit tim”, tha ai.
Këtë sezon, Muriqi ka shënuar nëntë gola në 16 paraqitje për Mallorcan në të gjitha garat, ndërsa ka bërë edhe dy asistime.