Vedat Muriqi pritet të jetë shumë i motivuar për ndeshjet e Kosovës me Zvicrën dhe Rumaninë. Shënimi eventual i golave do të ishte me shumë rëndësi për sulmuesin kryesor të Kosovës. 29-vjeçari nuk ka shënuar ende këtë edicion. Ka kompletuar ndeshjet e Mallorcas në La Liga ndaj Las Palmasit, Villarrealit, Granadas dhe Athletic Bilbaos. Por nuk ka shënuar gol. Për më tepër i ka humbur dy penallti.
Muriqi kishte shënuar gol në një miqësore të Mallorcas më 29 korrik. Dhe goli i tij i parafundit është me Kosovën ndaj Bjellorusisë, në humbjen 2:1. Kishte konkretizuar penallti.
Pozita e Muriqit në krye të sulmit të Kosovës nuk vihet në diskutim. Ai pritet të startojë dhe do të kërkojë golin si ndaj Zvicrës të shtunën ashtu edhe ndaj Rumanisë në javën e ardhshme.
Opsion interesant për sulmin e Kosovës do të jetë Albion Rrahmani. Pas transferimit nga Ballkani te Rapidi i Bukureshtit 23-vjeçari ka shkëlqyer. Ka shënuar katër gola në dy ndeshje për fillim gati të përkryer. Rrahmani është “armë” shtesë për selektorin Primozh Gliha në synimin për gola në dy ndeshjet kualifikuese për “Euro 2024”.