Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar sot me stërvitjen e radhës në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e para kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Kosova më 25 mars do të luajë në udhëtim kundër Izraelit, kurse pas tri ditësh e pret Andorrën në Prishtinë.
Pas seancës së sotme stërvitore, Florent Muslija foli për faqen zyrtare të FFK-së, ku tha se mendon që Kosova ka mundësitë shumë të mira për të arritur kualifikimin historik në Evropian.
“Pres shumë nga ky cikël kualifikues. Mendoj se i kemi mundësitë shumë të mira për të arritur në Evropian. E kemi ekipin shumë të fortë dhe shpresoj se do të arrijmë maksimumin. Atmosfera është fantastike dhe sigurisht se të gjithë jemi të lumtur që jemi këtu. Shpresoj se do të arrijmë të kallxojmë veten për vendin tonë”, tha 24-vjeçari që aktivizohet te skuadra gjermane, Paderborn.
Tutje, mesfushori kosovar tha se është optimist se mund të fitojnë të shtunën kundër Izraelit.
“Kundër Izraelit pres një ndeshje shumë të mirë dhe jam optimist se do ta fitojmë ndeshjen sepse e kemi kualitetin. Mesazhi për Dardanët? I falënderoj të gjithë ata që po na përkrahin dhe shpresoj se do t’i sjellim pikët e plota në Kosovë”, deklaroi Muslija.