Andres Iniesta e Toni Kroos janë në mesin e legjendave të futbollit që janë pensionuar gjatë vitit 2024.
Sajti zyrtar i FIFA-s ka publikuar të mërkurën një listë të futbollistëve që e kanë fituar Kampionatin Botëror e që i kanë dhënë fund karrierës gjatë këtij viti. Në listë është edhe Shkodran Mustafi.
Andres Iniesta vlerësohet prej futbollistëve më të mirë spanjollë në histori. Ai e udhëhoqi Spanjën drejt titullit të botës në vitin 2010. Ka luajtur 14 ndeshje në katër kampionate botërore.
“Yll me përmasa galaktike, Iniesta i dha fund karrierës në tetor, pas më shumë se 900 ndeshjeve me klube dhe përfaqësuesen spanjolle. Magjistari i mesfushës do të mbahet mend gjithnjë për kohën te Barcelona. Por momenti i tij më i famshëm erdhi me fanellën e Spanjës”, ka shkruar FIFA.
Më 11 korrik të vitit 2010, në “Soccer City” në Johanesburg të Afrikës së Jugut, Iniesta shënoi golin e fitores 1:0 të Spanjës ndaj Holandës në finale. Madje sfidën e vendosi në minutën e 116-të.
Jesus Navas është tjetër lojtar i atij ekipi të Spanjës nga “Afrika e Jugut 2010” që i dha fund karrierës këtë vit. Edhe Navasi ishte paraqitur në finale, duke e zëvendësuar Pedron pas një ore lojë. Ai u paraqit edhe në “Euro 2024”, ku Spanja triumfoi.
Erik Durm nuk ka luajtur ndeshje për Gjermaninë në Botërorin “Brazili 2014”. Por ishte në ekip dhe llogaritet kampion i botës, sipas FIFA-s. Ai u pensionua që në janar të këtij viti, pas telasheve të shumta me lëndime. Durm u tërhoq në moshën 31-vjeçare.
“Durm, atëbotë 22-vjeçar, i ishte bashkuar listës së lojtarëve si Franco Baresi e Ronaldo duke fituar çmimin më të madh në futboll pa luajtur asnjë minutë. Ai ishte rezervist i pashfrytëzuar në të gjitha shtatë ndeshjet e Gjermanisë në Botërorin 2014”, shkruan FIFA.
Në korrik ai u kthye në futbollin amator, duke firmosur me ekipin e kategorisë së gjashtë gjermane, Rieschweiler.
Mbrojtësi shqiptar, Shkodran Mustafi, po ashtu ishte pjesë e Gjermanisë në Botërorin 2014. Luajti në tri ndeshje. Ai vendosi në qershor të përfundojë karrierën si lojtar.
“Njëjtë si Durm, Mustafi bëri vend te Gjermania pak para Botërorit 2014. Debutoi në miqësoren ndaj Polonisë një muaj para ngjarjes globale. Ai luajti në dy ndeshjet e para në Botëror dhe startoi në një të tetën e finales ndaj Algjerisë. Por u zëvenësua pas një lëndimi dhe nuk luajti më në Botëror. Që nga qershori ai është asistent-trajner te Gjermania U17”, shkruan FIFA.
Dukshëm më i rëndësishëm për Gjermaninë ishte Toni Kroos.
Ai e fitoi Botërorin në vitin 2014, ndërsa për Gjermaninë luajti në tri ngjarje globale e zhvilloi 14 ndeshje.
Mesfushori ikonik i dha fund karrierës me ndeshjen e fundit të Gjermanisë në “Euro 2024”. U largua kur ishte në kulm, si lider i mesfushës së Real Madridit, që e fitoi Championsin dhe La Ligan edicionin e kaluar.
Në Botërorin 2014, Kroosi kishte startuar në të gjitha ndeshjet e Gjermanisë. I kishte dy gola e tri asistime.
Karrierën këtë vit e ka përfunduar edhe mbrojtësi i njohur francez, Raphael Varane. Ai fitoi Botërorin me Francën në vitin 2018. Luajti në tri Kampionate Botërore, gjithsej 18 ndeshje.
Prej futbollisteve që kanë fituar Kampionatin Botëror, karrierën këtë vit e përfunduan Sam Mewis, Kelley O’Hara, Alex Morgan e Becky Sauerbrunn. Të gjitha ishin pjesë e SHBA-së.
Mewis e fitoi Botërorin 2019, ndërsa O’Hara, Morgan e Sauerbrunn fituan Botërorin 2015 e atë 2019.