Qyteti i Napolit po përgatitet për festën që është duke e pritur prej disa javësh.
Zakonisht besëtytë për të përmendur fjalën “scudetto”, napolitanët kanë zbukuruar qytetin me pankarta, flamuj dhe kartonë me figura të lojtarëve të Napolit në madhësi reale. Rreth 10 mijë tifozë mirëpritën skuadrën e kthyer nga Torino të dielën e kaluar pas fitores 1:0 kundër Juventusit, që e bëri Napolin të jetë në prag të titullit të parë të Serie A pas 33 vjetësh. Mijëra motoçikleta dhe skuterë ndoqën autobusin e ekipit. Kolona u filmua nga sulmuesi i Napolit, Victor Osimhen, i cili dëgjohej duke bërtitur: “Është gëzim i çmendur, është i çmendur”.
Mirëpo, është vendosur që festa të bëhet më e çmendur të dielën nëse titulli bëhet i Napolit, siç pritet prej javësh. Kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro deri në fund të edicionit, Napoli ka avantazh prej 17 pikësh ndaj Lazios që është në vendin e dytë dhe 19 pikë më shumë se Juventusi. Janë skuadrat e vetme që mund ta pengojnë matematikisht në rrugën drejt titullit.
Nëse Napoli mposht të shtunën Salernitanan, që po lufton për mbijetesë, dhe Lazio dështon të fitojë në udhëtim tek Interi të dielën, atëherë titulli do të sigurohet për herë të parë që nga viti 1990 kur Diego Maradona udhëhoqi ekipin drejt këtij suksesi. Stadiumi i Napolit mban emrin e ikonës së Argjentinës. Napoli duhet patjetër të fitojë të shtunën, gjë që e ka arritur vetëm një herë në katër ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Çdo gjë më pak se fitorja ndaj Salernitanas do ta linte “shampanjën në akull” për disa ditë të tjera. Fitorja në udhëtim te Juventusi me golin e shënuar nga Giacomo Raspadori në kohën shtesë ka ringjallur vetëbesimin e ekipit.
“Ne kemi festuar si të çmendur në zhveshtore sepse e kemi merituar”, pranoi kapiteni i Napolit, Giovanni Di Lorenzo. “E kemi filluar këtë rrugëtim shumë kohë më parë dhe tani jemi pranë fitores së madhe. Po na pëlqen kjo ndjenjë, por po qëndrojmë të fokusuar. Jemi afër për ta realizuar ëndrrën. Në mund ta fitojmë titullin edhe në stadiumin tonë dhe vetëm kur po mendoj për festën që do ta kemi me tifozët, po rrëqethem. Do të jetë ndjenjë e papërshkruar dhe mund të konfirmoj se jam krenar që jam kapiten i këtij ekipi”.
Nëse Napoli e konfirmon fitimin e titullit këtë vikend, atëherë festën do ta bëjë në stadiumin “Diego Armando Maradona”. Qyteti i Napolit ka kërkuar që ndeshja me Salernitanan të zhvendoset për të dielën dhe të fillojë në të njëjtën kohë sikurse ndeshja e Interit. Serie A parimisht ka refuzuar një gjë të tillë, por mediumet italiane kanë raportuar se ky qëndrim mund të ndryshojë të premten. Napoli pritet ta mposhtë Salernitanan, ekip që ka regjistruar vetëm një fitore në shtatë ndeshjet e fundit kampionale. Por, Salernitana është dëshmuar si një kundërshtare e papërshtatshme, pasi në këto shtatë duelet e fundit ka marrë barazime ndaj Milanit dhe Interit. Po ashtu nuk di për humbje për më shumë se dy muaj.
Për dallim prej Napolit, Lazion e pret një test dukshëm më i vështirë kundër Interit. Të dyja ekipet po luftojnë për të siguruar një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve. Interi është i gjashti në tabelë, me dy pikë më pak se Milani, që zë vendin e katërt dhe shtatë pikë prapa Lazios.
Trajneri i Napolit, Luciano Spalleti, pret që ish-ekipi i tij, Interi, ta ndihmojë për ta fituar titullin duke e ndaluar Lazion. Ai ka qenë në krye të Interit për dy edicione përpara se të shkarkohej në vitin 2019. Pas dy vjetësh pauzë, Spalletti i është kthyer zejes së trajnerit, duke e marrë drejtimin e Napolit. 64-vjeçari kurrë nuk e ka fituar titullin e kampionit në Serie A, ndonëse dy herë ka udhëhequr Romën drejt triumfit në Kupën e Italisë.
“Ardhja deri në këtë pozitë për ta fituar titullin është një shpërblim për të gjitha sakrificat që i kam bërë”, pranoi Spalletti. “Kam bërë rrugë të gjatë për të ardhur deri këtu dhe kam vuajtur shumë. Tash jam trajner që ndihet krenar me këtë ekip”.