I buzëqeshur dhe me plot energji e nisi tregimin e tij të dielën në emisionin Sports Show në Klan Kosova.
Vedat Muriqi po lë shenja të pashlyeshme këtë sezon në Majorka dhe në kampionatin elitar spanjoll, pasi pati ndikim të madh tek klubi por edhe te La Liga.
Së fundmi është përballur me dy klubet e mëdha nga Madridi, Realin dhe Atleticon, ku të dyja këtyre skuadrave u ka shënuar prizrenasi.
“Po shpresoj që të vazhdoj me këtë formë, arritëm me fitua kundër Atletico Madridit, unë personalisht arrita me shënua edhe ndaj Real Madridit, ishte një ndër ëndrrat e mia të ballafaqohem me këtë skuadër dhe t’i shënosh ishte një emocion goxha i madh, fatkeqësisht humbëm, por ja që dallimi ishte i madh tek kualiteti i skuadrave. Po shpresoj me vazhdua kështu formën që e kam, fatkeqësisht tash ka ndërprerje për shkak të kampionatit botëror, do ta mbaj vetën mirë dhe kur ta fillojmë vitin e ardhshëm ta filloj ashtu siç e mbarova” ka thënë Muriqi të dielën në emisionin Sports Shoë në Klan Kosova.
Në pjesën tjetër pa asnjë kompleks foli për dukjen e tij, dhe ngacmimet që i ka bërë trajneri i tij te Majorka, Javier Aguirre.
“Kam thënë gjithmonë që unë nuk jam i bukur, edhe s’dua me qenë i bukur, por mund të jem pak atraktiv. Përndryshe besoj qe e keni kuptuar që trajneri im ka pas një deklaratë duke thënë për mua se jam aq i keq sa që kur e shoh në rrugë e ndërroj kahjen. Të nesërmen më pyetën edhe mua nëse kam një përgjigje për trajnerin, edhe unë thash që as ai nuk është shumë i bukur kështu që jemi baras. Sa i përket ndryshimit, nuk dua të ndryshoj sepse e kam një pamje karakteristike. Ajo që më karakterizon janë dhëmbët, besoj që krejt jeni dakord. Sa isha në Turqi dhe tash që jam këtu në Spanjë kam marrë shumë oferta nga sponsor të ndryshëm për të bërë ndërhyrje në dhëmbë, por unë kam thënë jo, sepse përderisa janë të shëndoshë dhëmbët e mi edhe pse pamjet nuk e kanë të mirë, unë jam shumë i kënaqur”.
28 vjeçari pati ngritje në Fenerbahce, pastaj probleme në Lazio, gjatë kësaj vere ishte pothuajse gjithçka e kryer që të transferohej në Club Brugge, porse në fund dështoi. Krejt këto që ndodhën, Muriqi thotë se ia hapën sytë fort.
“Motivim kam pas shumë, jo 100 por 200% pas atij rasti me Club Brugge, futbolli i ka këto gjëra dhe unë nuk jam i vetmi kjo që më ndodhi, sepse ishte edhe Andy Carroll të cilin e kishin trajtuar si mua. Mund të them se fal atyre jam këtu në Majorka dhe jam shumë i lumtur. Të gjithë, nga drejtori, trajneri, shokët e klubit, tifozët e gjithë qyteti më mbështeti dhe ja ku jam sot këtu”.
Së fundmi sulmuesi i Kosovës ka dhënë intervista në gjuhën spanjolle duke befasuar fort gazetarët që e kanë përgëzuar. Kohëve të fundit për të është shkruar më shumë nga mediat spanjolle se sa për shumë yje të Real Madridit e Barcelonës.
“Në radhë të parë krenohem me veten sepse të lësh këta yje mbrapa, edhe pse Benzema ka qenë në disa ndeshje i lënduar, por për mua është si një ëndërr, nuk dua të zgjohem, nëse është ëndërr, të lutem mos më prekni”.
U pyet edhe për mundësinë që të kaloj tek një klub i madh, pse jo tek klubi më i madh në Spanjë dhe në botë.
“Duhet të jesh i çmendur ta refuzosh Real Madridin”.
Tha se ka klauzolë që duhet paguar për largim, fillimisht duhet të bindet klubi Majorkës e pastaj të t’i vije radha atij të flas për një transferim potencial. Megjithatë, ai deklaroi disa herë se është i lumtur në Palma de Majorka, është e lumtur edhe familja e tij aty, ka kontratë me klubin deri në vitin 2027 dhe deklaroi se do të dëshironte të qëndronte aty deri në fund.
Vedat Muriqi këtë sezon ka shënuar tetë gola për Majorkën, kurse vetëm 13 gola i ka shënuar krejt klubi në 14 ndeshje sivjet në La Liga. Ju kujtohet që futbollisti nga Prizreni ka qenë më meritori pse Majorka sezonin e kaluar nuk ra nga La Liga, ndërsa sivjet sërish fal golave të Muriqit është në vendin e 11-të aktualisht me 19 pikë.
Në dy fitoret e fundit, fillimisht kundër Villarreal Muriqi shënoi gol dhe asistoi, kurse kundër Atletico Madridit shënoi golin e vetëm në fitoren minimale të Majorkës 1 me 0.
Aktualisht është i dyti në renditjen e golashënuesve më të mirë në La Liga me tetë gola, aq sa i ka edhe Iglesias i Betis që ndanë pozitën me të, kurse Lewandowski i Barcelonës është i pari me 13 gola.