Leard Sadriu ka qëndruar pak në Kosovë. Por, për Kosovën ka luajtur shumë. Ka luajtur për U16, U17, U19 dhe U-21 të Kosovës, ndërsa të premten u përfshi në listë për herë të parë te Kosova A për ndeshjet miqësore të këtij muaji.
Mbrojtësi Sadiku ka pritur ftesën e Kosovës A pas paraqitjeve të mira te Shpresat e Kosovës dhe tek Mura në Slloveni. Kosova ndaj Armenisë do të luajë më 16 nëntor, kurse më 19 nëntor kundër Ishujve Faroe. Të dyja ndeshjet “Dardanët” do t’i luajnë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Është diçka shumë e mirë, pasi kur e di që ke kaluar në të gjitha gjeneratat, kam menduar se do të vij mundësia edhe te përfaqësuesja A”, ka thënë Sadriu të shtunën për KOHËN.
Sadriu karrierën e ka nisur në Ferizaj, ndërsa ka luajtur edhe për Shkëndijën e Tetovës dhe Skënderbeun e Korçës. Prej shtatorit të këtij viti është pjesë e Muras, skuadër me të cilën ka kontratë deri në vitin 2025.
Mbrojtësi i qendrës ka shënuar ngritje të shpejtë në karrierë. Ai së fundi ishte kapiten te Shpresat e Kosovës. Për Përfaqësuesen U21 ka shënuar një gol në 15 ndeshje. Ai gjashtë paraqitje i ka edhe te U19, ndërsa dy paraqitje i ka te U17 dhe tre te U16 e Kosovës.
“Synimi im ka qenë të jap maksimumin dhe të bëj paraqitje të mira në ekipet ku kam luajtur. Te Kosova U21 kam qenë kapiten së fundi dhe e kam menduar se si kapiten do të jem më afër përfaqësueses A. Të jesh kapiten është një prej gjërave më të mira që mund t’i ndodhë një lojtari. Është ëndërr e gjithë lojtarëve”, është shprehur ai.
Por, Sadriu insiston se miqësoret kundër Armenisë dhe Ishujve Faroe do t’i shërbejnë për të bindur selektorin Alain Giresse ta ftojë edhe për kualifikimet e Evropianit të vitit 2024. Cikli kualifikues i Evropianit nis në muajin mars.
“Ky grumbullim do të më shpërbejë për të dëshmuar vlerat e mia. Jam i ri, jam vetëm 21-vjeçar dhe kam pasur besim se do të arrij një ditë të luaj edhe për ekipin e parë të Kosovës. E kam pritur me kënaqësi dhe është një prej gjërave më të mira që i ndodhin një lojtari. Shpresoj të kem mundësinë të luaj dhe pse më pas të mos e fitoj rastin të ftohem edhe për kualifikimet e evropianit”, ka theksuar Sadriu.
Sadriu drejt Kosovës nuk do të udhëtojë i vetëm. Ai do t’i bashkohet Kosovës bashkë me Mirlind Dakun. Me Dakun janë në të njëjtin ekip. Sulmuesi Daku me 11 gola i prin listës së golashënuesve të kampionatit elitar të Sllovenisë.
“Me Mirlindin kemi qenë edhe në përfaqësuesen U21 para 2-3 vjetësh. Kemi pasur raporte shumë të mira, ndërsa ato janë thelluar edhe më shumë tash që jemi çdo ditë së bashku. Më ka ndihmuar të ambientohem më shpejt në skuadër. Ai është një lojtar dhe djalë shumë i mirë. Po e bëjmë një kombinim të mirë. Ai në sulm, unë në mbrojtje. Unë po ia ruaj shpinën, ai po shënon”, thotë Sadriu.
Sadriu iu bashkua Muras vetëm pas përfundimit të fazës kualifikuese të Ligës së Konferencës.
“Pas dy ndeshjeve kam fituar besimin e trajnerit dhe që nga ajo kohë unë jam titullar. Jam i kënaqur me paraqitjet. Jam adaptuar më shpejt se që kam pritur”, ka thënë Sadriu.