Kampionati Evropian që do të shoqërojë tifozët dhe entuziastët nga 14 qershori deri më 14 korrik do të jetë eventi futbollistik i verës së vitit 2024.
Italia, kampionia në fuqi, pasi fitoi titullin në vitin 2021 në finalen e “Uembli”-t do të përpiqet të konfirmohet në Gjermani, vendi mikpritës i ngjarjes këtë vit.
Sigurisht, nuk janë ata favoritët, ndërsa Anglia, Franca, Spanja dhe organizatorët e Gjermanisë në letër janë në rreshtin e parë. Por Europiani është turneu që prodhon gjithnjë surpriza dhe këtë herë do të jemi edhe ne, për herë të dytë në histori pas 2016-ës me shpresën për të bërë një figurë më të mirë. “Euro 2024” do të ngrejë siparin me ndeshjen hapëse të organizatorëve gjermanë dhe Skocisë në “Allianz Arena” të Mynihut sot në orën 21:00.
Por para shkelmimit të topit të parë, do të respektohet tradita me ceremoninë e inaugurimit të turneut, e thjesht si gjithnjë sa herë të bëjnë gjermanët, por me shumë klas dhe kuptim, e cila do të nisë në stadiumin e Bajernit të Mynihut duke nisur nga ora 20:30.
CEREMONIA E HAPJES – Është planifikuar një homazh për nder të Franc Bekenbauerit, kampionit gjerman i cili u nda nga jeta më 7 janar. Haidi Bekenbauer, e veja e legjendës së kombëtares gjermane dhe Bajernit të Mynihut, do të sjellë trofeun e Kampionatit Europian në fushë në mungesë të bashkëshortit të saj zbuloi “Bild”. Dhe i gjithë ky moment prekës, do të shoqërohet me një video festive me momentet më të bukura të karrierës së “Kaizerit”.
Si çdo ceremoni inaugurimi, edhe sot do të ketë notat muzikore që do të ngrenë peshë të pranishmit në stadium. Ky shans i është akorduar këtë herë treshes italiane e “Meduza”, këngëtarit amerikan të grupit “One Republic” Rajan Teder dhe gjermanes Leoni. Është e tyrja kënga e titulluar “Zjarr”, e cila u bë kolona zanore zyrtare e “Euro 2024” dhe doli për herë të parë më 13 maj. Gjithçka do të nisë dhe përfundojë në harkun e më pak sesa 30 minutave.
Një muaj spektakël në fushë, për të udhëtuar më pas drejt Berlinit, ku gjithçka do të ulë siparin në finalen e 15 korrikut. Ceremonia përmbyllëse do të mbahet në “Olympiastadion” të kryeqytetit këtë herë dhe do të ketë sërish një performancë të “One Republic”, Leoni dhe “Meduza”, ata që krijuan himnin e turneut të 17-të europian