Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi po vazhdon kontaktet dhe negociatat për gjetjen e një trajneri që do ta udhëheq Kosovën në ciklin kualifikues për Kampionati Botëror.
Pas dështimit të marrëveshjes me teknikun spanjoll Morena, shigjetat e FFK-së janë drejtuar nga dy trajnerë tjerë të njohur, shkruan Ballkani.info.
Bëhet fjalë për teknikun gjerman Andre Breitenreiter i cili gjatë karrierës së tij ka udhëhequr skuadra të njohura si Paderborn, Schalke 04, Hannover 96, Zurich e Hoffenheim, derisa kishte punuar më herët edhe te Kombëtarja gjermane U18.
Një tjetër kandidat potencial është turku Senol Gunes i cili ka karrierë të pasur derisa suksesin më të madh e kishte me Besiktasin. Gunes për një kohë ka drejtuar edhe Kombëtaren e Turqisë.
Emërimi i trajnerit të ri te Kosova pritet të bëhet shumë shpejt, madje burime të Ballkanit.info mësojnë se kjo mund të ndodhë javën tjetër. /GazetaSport