Trajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiu është paraqitur në konferencën për shtyp para gazetarëve në vigjilje të ndeshjes së radhës kampionale ndaj Llapit, sfidë kjo e cila do zhvillohet në Gjilan.
Tekniku i ‘kuqebardhëve’ ka folur në lidhje me përgatitjet për duelin e së shtunës, disfatën e fundit kampionale, si dhe mungesën e rezultateve pozitive.
Nuhiu është shprehur optimist se skuadra që ai drejton do të dal nga ky ngërç i rezultateve, pasi që futbollistët po e ndjekim frymën dhe filozofinë e stafit. Për më shumë ai beson se ky grup ka potencial për ta bërë këtë gjë.
“Llapi është një skuadër për t’u respektuar, pasi që ka qenë pretendent në vitet e fundit të futbollit kosovar dhe për më tepër që tashmë në radhët e veta ka futbollist shumë cilësor. Po ashtu kanë një trajner i cili punon gjatë me këtë skuadër dhe dinë sakt se çfarë duhet të bëjnë në këtë ndeshje. Sa i përket skuadrës time, ata e kanë dëshmuar që në ndeshjet me skuadrat që pretendojnë pjesën e epërme të klasifikimit e kanë dëshmuar se potenciali është te grupi dhe kam besim të plotë për paraqitjen e nesërme ndaj Llapit. Kemi punuar në aspektin psikologjik, pasi vijmë nga një humbje në shtëpi, të cilën nuk e mendojmë fare dhe ajo tashmë i kalon të kaluarës. I gjithë fokusi është në ndeshjen e radhës, të bëjmë mirë dhe të marrim fitore”, potencoi Nuhiu.
Disfata shokuese ndaj Ferizajt?!
“Kishim në kontroll ndeshjen sa i përket posedimit, mirëpo kundërshtari na ndëshkoi në kundërsulme. Na mungoi koncentrimi, pasi që kundërshtari na krijoi raste për shënimi. Në pjesën e dytë shënuam dhe u afruam golit të barazimit duke krijuar disa mundësi të mira shënimi, por në momentet më të mira u ndëshkuam me kartonin e parë të kuq, më pastaj edhe të dytin. Për ne tashmë ajo ndeshje është e harruar me leksionet të cilat i kemi marrë. Jemi të fokusuar dhe përqendruar te ndeshja e radhës”.
Pranimi i golave në çdo ndeshje?
“Mos koncentrimi i skuadrës në aspektin defansiv ka bërë që kundërshtari të dal në mundësi shënimi. Çdo ndeshje kërkon përqendrim dhe koncentrim, pasi që nëse neglizhon situatën, atëherë edhe jep mundësinë kundërshtarit për të krijuar, e cila në fakt nuk është paraqitur në ndeshjet e kaluara, përveçse në ndeshjen e fundit ndaj Ferizajt. Besojmë që nga ndeshja e ardhshme çdo gjë do të jetë ndryshe”.
Kriza e rezultateve?
“Atmosfera është fantastike në skuadër. Ritmi në seancat stërvitore është i lartë. Të gjithë këtu po e vuajmë mungesën e rezultateve. Duhet më tepër të përmisohemi në aspektin psikologjik dhe mental, pasi që problemet na janë shfaqur me skuadrat që janë në pjesën e poshtme të tabelës dhe ajo ato që janë lartë. Nëse arrijmë ta bëjmë këtë duke vlerësuar çdo kundërshtarë atëherë do të ja dalim, por gjithmonë në radhë të parë duke rrespektuar dhe duke vlerësuar vetën tonë. Pres reagim nga skuadra, pasi që karakteret dhe personalitetet rriten në situata të vështira”.
Kritikat e opinionit sportiv?
“Ndjej mbështetjen e drejtuesve dhe ndjekjen e futbollistëve të filozofisë tonë si staf. Kjo më bën të besoj fuqishëm që ne do ja dalim. Grupin e kam prapa dhe unë besoj shumë te ta. Llogaritë do t’i bëjmë në fund. Do të shohim në fund se ku do të jetë Gjilani”, tha Nuhiu.