Paul Pogba kujtoi një moment të hershëm në karrierën e tij me Mino Raiolan, teksa foli edhe për rëndësinë e agjentes së tij aktuale, Rafaela Pimenta.
Mesfushori francez iu bashkua Manchester United në vitin 2009 në moshën 16-vjeçare dhe kaloi tre vjet në sistemin e të rinjve të klubit përpara se të largohej drejt Juventusit si një transferim i lirë në vitin 2012.
Ai u kthye në “Old Trafford” katër vjet më vonë në një marrëveshje me vlerë rreth 105 milionë euro, por luftoi për të përsëritur formën që kishte në Torino.
Pas gjashtë sezoneve te “Djajtë e Kuq”, Pogba u largua sërish si transferim i lirë drejt Juventusit këtë verë.
Duke folur pas ceremonisë së çmimit “Golden Boy”, 29-vjeçarit fillimisht foli për agjenten e tij dhe se si ndihej kur ai fitonte çmimin në fjalë.
“Për mua ishte një ëndërr të fitoja këtë çmim. Si ndihem? Më mirë, le të themi mirë. Rafaela Pimenta është nëna ime e dytë, ajo më ka ndihmuar shumë në karrierën time”, tha ai.
“Ajo më bëri të kuptoj shumë gjëra jo vetëm në botën e futbollit. Ajo është një person shumë i rëndësishëm për mua dhe për familjen time”, shtoi reprezentuesi francez.
Mesfushori i Juventusit më pas kujtoi një bisedim interesant që kishte pasur me ish-agjentin e tij, Mino Raiola, gjatë fazave të hershme të karrierës së tij.
“Kur isha i ri, në Manchester, Ferguson donte që unë të rinovoja. Kur mbërriti Mino, ai shikoi kontratën dhe tha: ‘Nuk do ta lija qenin tim të nënshkruante këtë kontratë. Paul, ngrihu dhe le të shkojmë”, deklaroi ai.