Milani është i interesuar të transferojë Granit Xhakën, dhe sipas mediave italiane edhe vetë mesfushori zviceran dëshiron një aventurë të re në Serie A. Megjithatë, situata komplikohet nga qëndrimi i Bayer Leverkusenit, klubi aktual që posedon kartonin e mesfushorit kosovar.
Drejtori sportiv i Leverkusenit, Simon Rolfes, ka hedhur poshtë çdo mundësi për negociata me Milanin, duke e vlerësuar Xhakën si shumë të rëndësishëm.
“Nuk ka pasur dhe nuk ka negociata me Milanin për Granit Xhakën. As nuk kemi ndërmend ta shesim. Graniti është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne”, deklaroi Rolfes.

Xhaka u transferua te Bayer Leverkuseni në verën e vitit 2023 nga Arsenali për 15 milionë euro, me një kontratë që skadon në qershor 2028. Megjithatë, ai duket i gatshëm për një sfidë të re, ndërsa Milani, në kërkim të forcimit të mesfushës, po përpiqet ta bindë.
Babai i Granit Xhakës, Ragip Xhaka, ka konfirmuar interesin e kuqezinjve për të dhe ka përgëzuar punën e drejtuesit sportiv të Milanit, Igli Tare ditë më parë për Tëvë 1 në Kosovë.
“Milani e do Granitin, dhe unë e vlerësoj shumë Taren”, deklaroi Ragip Xhaka.
Tregu i transferimeve në Milan po gëlon, ndërsa skuadra po përgatitet për ardhjen e Luka Modric. Menaxhmenti ka si qëllim t’i ofrojë trajnerit Massimiliano Allegri një mesfushë më të fortë dhe më përvojë.

Megjithatë, Bayer Leverkuseni është i pakënaqur me thashethemet që qarkullojnë, sidomos ato që flasin për një largim të mundshëm të Xhakës për vetëm 8-10 milionë euro, shifër kjo që është po ashtu kërkuar nga Milani.