Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur mbështetjen dhe krenarinë e saj për sportistët kosovarë që po përfaqësojnë vendin në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Presidentja vuri në pah sakrificën dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të sportistëve dhe trajnerëve të tyre, të cilët kanë punuar me vendosmëri për të arritur këtë nivel të lartë të konkurrencës.
“Vazhdimisht është një atmosferë e fitores, me të drejtë, për shkak se sportistët tanë kanë punuar jashtëzakonisht shumë. E gjithë përgatitja e tyre ka kërkuar një sakrificë të madhe, të cilën e dëshmon secili prej tyre dhe trajnerët e tyre. Tani natyrisht duhet edhe pak fat dhe jam e bindur se ata do ta përfaqësojnë Kosovën me nder, do ta ngrisin flamurin e shtetit tonë sa më lart dhe do të tregojnë edhe njëherë shpirtin luftarak dhe qendrestar të popullit tonë”, tha presidentja.
Ajo foli edhe për boksieren Donjeta Sadiku, e cila sonte fillon ciklin e garave për Kosovën në boks.“Donjeta ka fituar një numër të madh të medaljeve në kategori të ndryshme, por edhe tani në garat olimpike është një shans i jashtëzakonshëm që ta tregojë veten dhe jam e bindur që do të dalë shkëlqyeshëm”, shtoi Osmani.
Duke folur për rolin e saj si mbështetëse e sportistëve dhe për faktin që në Olimpiadën e kaluar në Tokio kur ishte e pranishme sportistët kosovarë fituan dy medalje olimpike, presidentja tha: “Nuk mendoj se unë ju sjelli fat, ju sjell fat puna e tyre, por përkrahja në asnjë moment nuk ju mungon. Jemi këtu që t’u japim motiv e përkrahje sportistëve tanë sepse vërtet e meritojnë”, tha tutje e para e shtetit për RTK.
Presidentja gjithashtu vlerësoi kontributin e sportistëve në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. “Sportistët kanë hapur dyer për Kosovën që nuk ka arritur t’i hapë askush nga politika dhe përmes kësaj kanë dhënë mesazhin më të mirë për rininë e Kosovës, për shtetin e Kosovës, për qëndrueshmërinë e shtetit tonë dhe për këtë arsye e meritojnë çdo lëvdatë dhe çdo përkrahje nga çdo qytetar i Kosovës”, nënvizoi Osmani.
Presidentja shprehu nderin e saj për të qenë së bashku me përfaqësuesit e tjerë nga Kosova për të ofruar mbështetje të vazhdueshme për sportistët. Ajo nënvizoi se rezultatet e arritura janë fryt i punës, sakrificës dhe përkushtimit të tyre dhe trajnerëve të tyre.