Një ish-yll i Irlandës së Veriut dhe Manchester United la futbollin për t’u bërë prift katolik, pasi u mërzit me përfitimet që vinin nga fusha e blertë. Nga Belfasti, Phil Mulryne, 44 vjeç, ishte dikur një nga yjet e rinj që doli nga akademia e Manchester United, por ai i ndërroi këpucët e sportit me Biblën, kur u zhgënjye me stilin e jetës së një futbollisti profesionist.
Ish-mesfushori fitonte 600.000 £ në vit, në kulmin e karrierës së tij, por në vend që ta bënin të lumtur, paratë dhe të gjitha veshjet e shtrenjta e bënë ishreprezentuesin e Irlandës së Veriut të mjerueshëm. Zbrazëtia shpirtërore që e përfshiu atë e çoi në shtëpinë e Zotit.
Mulryne e filloi karrierën e tij në “Old Trafford”, ku bëri debutimin e tij në tetor 1997. Ai nuk arriti të depërtonte në ekipin e parë të “Djajve të Kuq”, bëri vetëm një paraqitje në Premier League, përpara se të transferohej te Norwich më 1999.
Atje luajti 172 ndeshje dhe shënoi 20 gola midis viteve 1995 dhe 2005. Maestro I mesfushës gjithashtu luajti me Cardiff, Leyton Orient dhe Kings Lynn përpara se të tërhiqej në vitin 2009 në moshën 31-vjeçare. Pikërisht gjatë kohës së tij me “Kanarinat” u bë entuziast i Biblës dhe filloi të mos e dashuronte më futbollin, – raporton “Daily Star”.
Duke folur për tranzicionin e tij në prift katolik, Mulryne tha më parë për faqen zyrtare të Norwich: “Është e vështirë të përcaktosh një moment të veçantë. Unë do të thoja se filloi në vitin tim të fundit te Norwich, jo në mënyrë eksplicite. Nuk po mendoja për të kënë në atë kohë, por fillova të jem i pakënaqur me të gjithë stilin e jetës.
Ne kemi një jetë të mrekullueshme si futbollistë, unë isha shumë i privilegjuar, por me të gjitha gjërat përreth kuptova që përfundimisht kishte një lloj zbrazëtie. Isha shumë i tronditur, pyesja veten pse nuk jam i lumtur kur kam gjithçka që duan të rinjtë?
Aty nisi në një udhëtim drejt eksplorimit të besimit tim, besimit që kisha si i ri. Mora një vendim që të kthehesha në shtëpi për një vit dhe në të vërtetë gjatë atij viti gjithçka u përmbys.
Unë dola vullnetar për të pastrehët për një kohë. Fillova të kthehesha në meshë dhe të falesha përsëri rregullisht. Aty gjeta një ndjenjë të vërtetë përmbushjeje me të. Futbolli ishte ngritje dhe ulje e madhe, ndërsa kisha ishte diçka që më jepte një ndjenjë të qëndrueshme kënaqësie”.
Në ditët e sotme, ish-mesfushori i Norwich-it mban titullin “Reverend At Philip Mulryne”, pasi u shugurua si prift për Urdhrin Dominikan në vitin 2017. Ai aktualisht mbikëqyr një kongregacion në kishën e Shën Marisë Priory në Cork.
Mulryne nuk është penduar që e la sportin gati një dekadë më parë, sepse zbuloi më shumë detaje rreth ndryshimit të jetës së tij: “Thirrja ime për priftëri dhe jetën fetare erdhi më vonë, gjatë atij viti. E ndjeva këtë dëshirë të fortë për këtë mënyrë jetese dhe qëndrova me të për disa muaj. Më pas mora guximin për ta eksploruar dhe u bëra pjesë e saj. Tani jemi tetë vite më vonë”.
Peter Crouch luajti së bashku me Mulryne në skuadrën fituese të Norwich, në sezonin 2003-2004. Megjithëse ish-sulmuesi anglez ishte i kënaqur me transformimin e shokut të tij, ai mendon se mund të ketë qenë një faktor kryesor në këtë rrugëtim të irlandezit.
Në librin e tij, eksperti i “BT Sport” tha: “Ndoshta, dhe kjo është një mundësi që nuk më pëlqen ta evitoj, ishte shoqërimi me mua në ata muaj të mërzitur që e bindi atë se kishte nevojë për një drejtim të ri në jetën e tij”.