Kryetarja e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, thotë se nuk duhet të lejohet asnjë delegacion rus në Lojërat Olimpike të Parisit, vitin e ardhshëm, nëse Moska vazhdon luftën e saj kundër Ukrainës. Hidalgo më parë tha se garuesit rusë mund të merrnin pjesë nën një flamur neutral, por ajo u tërhoq nga kjo ide të martën në një intervistë me median franceze “France Info”.
Duke pranuar se një vendim përfundimtar i takon Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Hidalgo tha se dëshironte që sportistët rusë të ndaloheshin “për sa kohë që ekziston kjo luftë, ky agresion rus ndaj Ukrainës”.
“Nuk është e mundur të parakalosh sikur të mos kishte ndodhur asgjë, të kesh një delegacion që vjen në Paris, ndërsa bombat vazhdojnë të bien mbi Ukrainën”, insistoi Hidalgo.
Komentet e Hidalgos erdhën pasi ministri i Sportit i Ukrainës, Vadym Huttsait, javën e kaluar përsëriti një kërcënim për bojkotimin e Lojërave Olimpike “Parisi 2024”, nëse Rusia dhe Bjellorusia lejohen të garojnë. Ai tha se Kievi do të lobonte te të tjerët për t’u bashkuar në kauzën e ukrainasve. Asnjë vend nuk ka deklaruar deri më tani se do të bojkotojë Lojërat Olimpike Verore të vitit të ardhshëm. Por Ukraina fitoi mbështetjen nga Polonia, vendet baltike dhe Danimarka, të cilat dolën kundër një plani të IOC-së për të lejuar delegacionet nga Rusia dhe aleatja, Bjellorusia, që të garojnë në Paris si “sportistët neutralë”, pa flamuj apo himne.
Hidalgo tha se do ta konsideronte “krejtësisht të pahijshme” nëse sportistët rusë do të garonin në kryeqytetin francez nën këto kushte. Por ajo la derën e hapur për sportistët rusë që nuk mbështesin veprimet e presidentit Vladimir Putin për të parakaluar në Paris “nën një flamur refugjatësh”.
Rusia e ka mirëpritur me kujdes vendimin e IOC-së për t’i hapur një rrugë për në Lojërat Olimpike. Por Rusia kërkon që të hiqet një kusht që do të linte jashtë ata sportistë që mendohet se “mbështesin në mënyrë aktive luftën në Ukrainë”.
Kreu i Komitetit Olimpik të Rusisë, Stanislav Pozdnyakov, i cili ishte shok skuadre me Huttsaitin e Ukrainës në Lojërat Olimpike të vitit 1992, e quajti këtë aspekt diskriminues. IOC-ja, e cila rekomandoi më parë përjashtimin e Rusisë dhe Bjellorusisë nga ngjarjet botërore për arsye sigurie, tani argumenton se nuk mund t’i diskriminojë ata thjesht bazuar në shtetësinë. I pyetur në lidhje me kërcënimet e bojkotit dhe planin e IOC-së, kreu i komitetit organizativ të LO “Parisi 2024”, Tony Estanguet, tha se ai nuk do të komentonte “për vendimet politike”.
Nëse propozimi i IOC-së hyn në fuqi, Parisi 2024 do të ishte Olimpiada e katërt radhazi ku sportistët rusë garojnë pa flamurin ose himnin kombëtar. Ekipet ruse në Lojërat Olimpike Dimërore në vitin 2018 dhe 2022, si dhe në Lojërat Olimpike Verore në vitin 2021, u prekën nga pasojat e dopingut të sponsorizuar nga shteti.
Hera e fundit që shumë vende bojkotuan një Olimpiadë ishte në vitin 1988, kur Koreja e Veriut dhe të tjerët refuzuan të merrnin pjesë në Lojërat Verore në Korenë e Jugut. Të martën janë paraqitur indikacione për një gjë të tillë, pasi pesë Komitetet Olimpike në rajonin nordik i kërkuan Komitetit Olimpik Ndërkombëtar të ndalojë sportistët dhe zyrtarët rusë e bjellorusë nga “pjesëmarrja sportive ndërkombëtare” për shkak të luftës në Ukrainë. Organizatat olimpike nga Suedia, Danimarka, Finlanda, Islanda dhe Norvegjia thanë se donin të shprehnin “mbështetje të palëkundur edhe një herë me popullin ukrainas dhe kërkesën për paqe”.
“Ne qëndrojmë të vendosur në pozicionin tonë”, thanë ato në një deklaratë. “Tani nuk është koha e duhur për të shqyrtuar kthimin e tyre”.
Javën e kaluar tre kryeministrat e vendeve të Baltikut kërkuan një ndalim të sportistëve rusë dhe bjellorusë dhe thanë se bojkoti olimpik ishte një mundësi. Ata folën disa ditë pasi Komiteti Olimpik i Letonisë kërcënoi se do të bojkotonte Lojërat e Parisit nëse sportistët rusë lejohen. Nga Letonia erdhën thirrje ndaj vendeve të tjera që të formojnë një koalicion për të ushtruar presion ndaj organeve sportive ndërkombëtare. Ishte organi i parë olimpik kombëtar, përveç Ukrainës, që kërcënoi se do të bojkotonte në vend që të garonte kundër rusëve.
Organizata të tjera olimpike, përfshirë Komitetin Olimpik dhe Paralimpik të SHBA-së, mbështesin përpjekjet e IOC-së për të gjetur një rrugë që rusët të garojnë.