Kampioni i Rumanisë në futboll, Cluji, ka shprehur interesim për ta transferuar edhe sulmuesin tjetër të skuadrës së Ballkanit, Meriton Korenica.
KOHA ka mësuar se Cluji ia ka kërkuar Ballkanit edhe Korenicën. Ditë më parë Cluji prezantoi Ermal Krasniqin. Krasniqi debutoi me gol me fanellën e klubit rumun.
“Ka interesim nga Cluji për Meriton Korenicën. Por jemi duke shikuar edhe një klub nga Belgjika që po ashtu ka shprehur interesim për futbollistin tonë. Janë edhe disa lojtarë të tjerë që janë në listat e klubeve të ndryshme evropiane. Por, do të analizohet më e mira për futbollistët”, ka thënë një zyrtar i klubit suharekas në kushte anonimiteti për KOHËN të mërkurën.
Sulmuesi 26-vjeçar ka pasur paraqitje të mira me fanellën e Ballkanit, si në kampionatin e Kosovës ashtu edhe në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Korenica po vazhdon me formë të mirë edhe në miqësoret që Ballkani është duke i zhvilluar në Antalia të Turqisë. Ai ka shënuar dy golat në dy fitoret e Ballkanit. Ballkani të mërkurën fitoi 1:0 ndaj klubit elitar të Bullgarisë, Beroe. Korenica shënoi edhe në fitoren 1:0 ndaj Kaysarit të Kazakistanit. Korenica të mërkurën për KOHËN ka thënë se i takon klubit të vendosë për të ardhmen e tij. Ai me Ballkanin ka kontratë deri në qershor të vitit 2025.
“Sa u përket ofertave e di më mirë klubi, pasi unë kam kontratë me Ballkanin dhe jemi duke biseduar vazhdimisht nëse vjen diçka konkrete. Dhe, nëse ka diçka konkrete që u përshtatet të dyja palëve pse jo. Do të jetë një ëndërr e realizuar lëvizja në ndonjë kampionat tjetër në Evropë”, ka thënë Korenica.
Ai insiston se fokusin e ka te Ballkani. Me Ballkanin synon mbrojtjen e titullit të kampionit.
“Për momentin jam këtu dhe jam i fokusuar te Ballkani. Por, ne do të vazhdojmë për ta mbrojmë titullin e kampionit. Jemi një grup shumë i mirë i lojtarëve që ndihmojmë njëri-tjetrin dhe gjithnjë japim maksimumin. Shpresoj që në fund të kampionatit të shpallemi kampion sërish”, ka thënë Korenica.
Korenica më herët karrierë ka bërë edhe te Shkëndija e Tetovës, Liria e Prizrenit dhe Prishtina. Ai është i kënaqur me zhvillimin e tij, e po ashtu edhe formën që po kalon në vitet e fundit.
“Jam i kënaqur me formën që po kaloj dhe shpresoj të vazhdoj ende më shumë me këtë formë, si unë ashtu edhe ekipi. Mendoj se të gjithë po kalojmë në një formë të mirë dhe shpresoj që të vazhdojmë së bashku të tregojmë paraqitje të mira. Unë po e jap maksimumin gjithmonë dhe golat janë motiv shtesë për mua. Jam i lumtur që po e ndihmoj ekipin, por më shumë ka rëndësi fitorja se kush shënon”, ka thënë Korenica.
Mundësinë për ta vazhduar karrierën jashtë vendin e kanë edhe disa futbollistë tjerë të dëshmuar te Ballkani. Ndër emrat më të përfolur janë ai i Lindon Emërllahut, Albion Rrahmanit dhe Lumbardh Dellovës.