Kur Ukraina u pushtua, lufta e vetme që Vasiliy Lomachenko do ta merrte në konsideratë ishte ajo për shtëpinë e tij. Planet e boksit u vunë në pritje edhe pse dukej se ato do të përfshinin një meç për titull. Lomachenko e quan ëndërr të tij të qenët kampion i padiskutueshëm, por lufta e vendit të tij me Rusinë është jeta reale.
“Unë nuk mund të kuptoja asgjë për atë që po ndodhte ushtarakisht”, tha Lomachenko përmes një përkthyesi. “Por brenda vetes kisha një ndjenjë të asaj që duhet të bëja”.
Tani ai po rifillon karrierën në boks. Bokson të shtunën mbrëma në Teatrin “Hulu” në Madison Square Garden kundër të pamposhturit, Jamaine Ortiz, në një meç që do të transmetohet në “ESPN+”.
Nëse fiton, Lomachenko (16-2, 11 KO) mund të fitojë një tjetër shans për të luftuar për titujt e kategorisë së lehtë që i zotëronte dikur. Por sido që të jetë, fillimisht ai do të kthehet në Ukrainë. Ylli i boksit beson se Ukraina është mjaft e sigurt tani për të lejuar familjen e tij të kthehet në shtëpi, pasi ka qëndruar me të në Kaliforni gjatë fazës stërvitore.
Askush nuk besonte se Rusia do ta niste pushtimin ndaj Ukrainës në muajin shkurt. Lomachenko ishte në Greqi në atë kohë, në pritje të një lufte kundër kampionit të atëhershëm të kategorisë së lehtë George Kambosos Jr. që ishte planifikuar për më vonë gjatë vitit. Ai u kthye në Ukrainë dhe u bashkua me një batalion të mbrojtjes territoriale, duke u thënë këshilltarëve të tij se nuk do të ishte në dispozicion për të boksuar në atë meç.
“Kur ndodhi gjithë kjo situatë, kur filloi pushtimi, askush nuk dinte asgjë”, shtoi Lomachenko. “Dhe kur nuk e di arsyen e pushtimit, atëherë çdo person normal shkon për ta mbrojtur vendin e tij. Pra, edhe unë sikurse shumica e meshkujve u ktheva për ta mbrojtur Ukrainën duke e lënë karrierën e boksit pezull”.
Për Lomachenkon kjo do të thoshte të ishte pjesë e një ekipi që ishte në funksion nga ora 22:00, duke patrulluar në rrugë për t’u siguruar që nuk kishte makina në horizont. Pas rreth një muaji ai u trajnua për të marrë pjesë në disa detyra të tjera.
“Jo operacione ushtarake, por detyra të caktuara”, zbulon Lomachenko. “Për shembull, ne duhej të dilnim në një zonë periferike të qytetit për të kontrolluar dhe garantuar që në atë zonë të mos ketë njerëz të huaj, pra të panjohur”.
Lomachenko është një nga sportistët më të mëdhenj të Ukrainës, dy herë fitues i medaljes së artë olimpike, i cili kishte bilanc 396-1 si boksier amator. Pasi u bë profesionist, ai fitoi titull në luftën e tretë dhe ishte kampion në tri kategori pas meçit të 12-të. Ai zotëroi tre breza të kategorisë së lehtë përpara se t’i humbiste nga Teofimo Lopez në tetor të vitit 2020. Dy fitore radhazi pas operacionit në shpatull e bënë Lomachenkon të pretendonte tituj të tjerë.
Lomachenko mori pushime nga shërbimi ushtarak për t’u stërvitur, kështu që ai nuk beson se koha e tij larg boksit do të ndikojë në ritmin dhe punën e këmbëve që janë ndër më të mirat në këtë sport. Ortiz (16-0-1, 8 KO) nuk pret të shohë gabime nga Lomachenko, me të cilën më përpara ka bërë sparing.
“Unë mendoj se kundërshtari përballë jush nxjerr në pah llojin e luftëtarit që jeni,” tha Ortiz. “Dhe mendoj se Lomachenko do të nxjerrë versionin tim më të mirë në këtë meç të rëndësishëm”.
Lomachenko nuk shqetësohet për mundësinë e humbur shkaku i luftës. Ai thotë se është rikthyer në ring dhe gradualisht do t’i kthejë edhe titujt.
“Nuk jam fare i penduar. Gjithçka ndodhi ashtu siç duhej të ndodhte”.
Ai nuk shqetësohet se gjasat për të rifituar brezat do të jenë më të vogla, sidomos tani që Devin Haney i ka ata, pasi e mposhti Kambososin.
“Jam gati për t’i kompensuar të gjitha. Besoj se secila fitore tash e tutje do të jetë e ëmbël”, tha Lomachenko duke buzëqeshur.
Trajneri i Manchester Unitedit, Erik ten Hag, është i bindur se Cristiano Ronaldo është ende në gjendje t’i shënojë mbi 20 gola këtë edicion, me gjithë minutazhën e limituar që e ka. Ronaldo u la jashtë ekipit për barazimin e javës së shkuar, 1:1, ndaj Chelseat, pasi kishte refuzuar të futej në lojë në fund të fitores 2:0 kundër Tottenhamit. Paraqitja e Unitedit ndaj Tottenhamit ishte vlerësuar si më e mira nën urdhrat e Ten Hagut dhe ishte një shembull se ekipi po luan më mirë pa portugezin Ronaldo.
Megjithatë, Ronaldo u kthye me gol si titullar tek Unitedi, që të enjten mbrëma triumfoi 3:0 ndaj Sheriff Tiraspolit në Ligën e Evropës. Ronaldo, 37-vjeçar, ka tri gola të shënuar në 13 paraqitje në të gjitha garat këtë edicion.
Por, Ten Hag të premten nuk përjashtoi mundësinë që Ronaldo të arrijë kuotën e 24 golave këtë edicion, aq sa i realizoi sezonin e shkuar për Unitedin.
“Varet nga ai. Unë mendoj se nëse ai shfrytëzon të gjitha rastet që i krijon vetë dhe ato që ia krijon ekipi, atëherë është në gjendje të shënojë gola. Kështu që është e mundur të shënojë mbi 20 gola edhe këtë edicion, por varet nga ai”, është shprehur Ten Hag.
Ronaldo këtë edicion ka qenë titullar në vetëm dy ndeshje në Premier League, ndërsa minutazhën më të madhe Ten Hag po ia jep në Ligën e Evropës. Trajneri holandez ka refuzuar kategorikisht se po e shfrytëzon Ligën e Evropës si mënyrë për t’ia dhënë Ronaldos minutat që po i mungojnë dhe po i kërkon deri më tani.
“Unë nuk kam ekip për Evropë e as ekip për Premier League. Pra, nuk i kam dy skuadra. E shikoj kundërshtarin që e kemi përballë dhe vendos se çka na duhet kundër tij. Tani fokusi im është te ndeshje kundër West Hamit që e luajmë të dielën”, insistoi Ten Hag. “Pastaj e zgjedh formacionin e parë, por gjithashtu kam edhe një plan B dhe C për ta fituar ndeshjen. Pra, mua më duhen këto gjëra për të fituar ndeshjet. Nuk kam nevojë për 11 lojtarë, por për gjithë ekipin”.
Pas startit të dobët, kohët e fundit Manchester Unitedi ka treguar shenja të mëdha përmirësimi nën Ten Hagun, trajner që u emërua në krye të ekipit para fillimit të edicionit. Unitedi ka dështuar që dominimin që e ka në fushë ta konkretizojë me gola. Në pesë ndeshjet e fundit kampionale ka dy fitore.
“Për ta zhvilluar ekipin duhet kohë. Duhet të shkosh gradualisht dhe kjo të merr kohë shumë, të cilën nuk e kam në dispozicion. Jam zakonisht i padurueshëm, por këtë herë më duhet të jem i durueshëm”, tha Ten Hag. “Tash na duhet të përmirësohemi në lojën sulmuese, por kjo është pjesa më e rëndësishme dhe merr shumë kohë. Do të presim dhe besoj se jemi në rrugën e duhur pasi po shkojmë hap pas hapi”.
Pas 11 ndeshjeve të luajtura në Premier League, Unitedi zë vendin e gjashtë në tabelë me 20 pikë të grumbulluara. Tabelës i prin skuadra e Arsenalit me tetë pikë më shumë.