Muhamed Sejdini ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut. Vendimi i Sejdinit u bë i ditur të dielën, kur përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut siguroi promovimin në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Kapiten i Maqedonisë së Veriut është Enis Bardhi. Ndikimi i shqiptarëve në përfaqësuese nuk ka qenë asnjëherë më i madh. Por edhe presioni ndaj Sejdinit ishte shumë i madh. Kohë më parë Sejdini madje u sulmua fizikisht. Sulmi ndodhi në fund të shtatorit nga persona të maskuar.
Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që më 22 dhjetor të mbahet Asambleja e Jashtëzakonshme Zgjedhore.
“Pas shtatë vjetësh të jashtëzakonshme, të mbushura me arritje historike, kam vendosur të largohem nga pozita e kryetarit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut. Vendimi im është rezultat i vlerësimit se ka ardhur momenti për ndryshim, pas një periudhe që do të mbahet mend si më e suksesshmja në historinë e futbollit tonë”, ka shkruar Sejdini në komunikatën e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Ai ka përmendur kualifikimin historik në Euro 2020, vendin e dytë në grup në kualifikimet e Botërorit, kalimin në Ligën B dhe realizimin e projekteve të ndryshme në infrastrukturë.
Ai ka falënderuar futbollistët, përzgjedhësit, klubet, investitorët, administratën, anëtarit e bordit drejtues dhe tifozët.
“Unë do të vazhdoj ta kryej detyrën time deri më 22 dhjetor, kur Kuvendi i Jashtëzakonshëm do ta zgjedhë pasardhësin tim. Me besim të plotë në të ardhmen e federatës dhe futbollit maqedonas, ju falënderoj nga zemra për mbështetjen dhe bashkëpunimin në vitet e kaluara”, ka shkruar Sejdini.
Nën drejtimin e tij futbolli shqiptar në Maqedoni të Veriut është rritur hovshëm. Ai ka raporte shumë të mira me drejtuesit e FFK-së dhe të FSHF-së.
Prej edicionit 2017/18 vetëm një herë skuadrat shqiptare nuk fituan titullin e kampionit në Maqedoni të Veriut. Shkëndija u shpall kampione në vitet 2018 e 2019 e më pas Vardari në vitin 2020. Pas Vardarit tituj fituan Shkëndija, Shkupi e dy të fundit Struga. Aktualisht gjysma e ligës elitare të Maqedonisë së Veriut përbëhet nga ekipet shqiptare. Shkëndija është në vendin e parë.