Peja dhe Golden Eagle Ylli kanë mbyllur vitin me fitore në Superligën e Kosovës në basketboll. Të dyja skuadrat shënuan fitore të enjten mbrëma në kuadër të xhiros së 15-të. Peja triumfoi në shtëpi ndaj Vëllaznimit me rezultatin e thellë 79:61, ndërsa edhe Ylli e mposhti bindshëm 76:64 skuadrën e Bashkimit në palestrën “13 Qershori” në Suharekë. Me këtë fitore Peja mbetet e dyta në tabelë me 26 pikë, dy më shumë se Ylli që është i katërti.
Me ndeshjet e së enjtes mbrëma ka përfunduar edhe xhiroja e 15-të në elitën e basketbollit kosovar, e cila ishte edhe e fundit për këtë vit. Kampionati do të rifillojë muajin tjetër, saktësisht më datën 6 janar.
Me fitore ndaj Vëllaznimit, Peja i është revanshuar ekipit gjakovar për humbjen e shkaktuar në xhiron e tetë, duke ia ndërprerë kampiones në fuqi serinë impresive prej shtatë fitoreve rresht në fillim të edicionit. Vëllaznimi ishte i barabartë vetëm në çerekun e parë, i cili përfundoi me shifrat 13:13. Skuadra e Pejës shkëputjen e bëri në çerekun e dytë që e fitoi me dhjetë pikë (24:14) për të shkuar në pushim me rezultatin 37:27. Peja e fitoi edhe periudhën e tretë (23:16), ndërsa epërsinë e thelloi edhe në dhjetë minutat e fundit për ta mbyllur ndeshjen me 18 pikë avantazh. Te Peja në këtë ndeshje debutuan Said Doucoure, Musab Mala e Jetmir Zeqiri, të cilët iu bashkuan ekipit ditë më parë. Doucoure, në fakt ishte edhe më i dalluari në fitoren ndaj Vëllaznimit. Ai ndeshjen e mbylli me 19 pikë e 5 kërcime.
Lojë të mirë te Peja shfaqi edhe Urald King (15 pikë), kurse Mala regjistroi 10 pikë e katër asistime. Jordan Dallas me “double-double” prej 12 pikëve e 11 kërcimeve ishte më efikasi te Vëllaznimi, por që nuk arriti ta ndihmojë ekipin gjakovar për ta evituar humbjen. Edhe Ylli triumfoi bindshëm pasi u tregua dukshëm më i fortë se Bashkimi, ekip që regjistroi humbjen e dhjetë në 11 ndeshjet e fundit. Dy periudhat e para të ndeshjes ishin të barabarta, me Yllin që ishte në epërsi prej tri pikëve (36:33) pas pjesës së parë.
Skuadra vendëse shkëputjen e bëri në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 23:13, ndërsa epërsia e krijuar prej 13 pikëve i mjaftoi Yllit për ta mbyllur ndeshjen me fitore të thellë, edhe pse dhjetë minutat e fundit i takuan Bashkimit (18:17). Bashkimit, po ashtu, i takoi edhe çereku i dytë që e fitoi me një pikë dallim (17:16). Chris Harris pati 11 pikë e 6 kërcime, ndërsa nga 12 pikë për kokë realizuan Jan Palokaj e Valon Bunjaku për Yllin. Te Bashkimi, vetëm dy lojtarë e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore. Isiah Umipig pati 15 pikë, ndërsa Eric Copes regjistroi 15 pikë e 7 kërcime. Te Bashkimi në duelin ndaj Yllit debutoi Lejson Zeqiri që iu bashkua këtij ekipi nga Sigal Prishtina. Për 30 minuta lojë Zeqiri pati 10 pikë e 5 kërcime. Bashkimi mbetet i parafundit në tabelë me 19 pikë, ndërsa Vëllaznimi ka 22 pikë dhe zë vendin e pestë. Trepça është kampione vjeshtore, pasi prin në klasifikim me 28 pikë të grumbulluara.
Superliga – XV
Peja – Vëllaznimi 79:61
G.E. Ylli – Bashkimi 76:64
S. Prishtina – P.C. Prizreni 74:71
Istogu – Trepça 65:106
1. Trepça 15 28
2. Peja 15 26
3. S. Prishtina 15 25
4. G.E. Ylli 15 24
5. Vëllaznimi 15 22
6. P.C. Prizreni 15 20
7. Bashkimi 15 19
8. Istogu 15 16