Kampionia në fuqi, Peja nuk ka të ndalur këtë edicion në Superligën e Kosovës në basketboll. Peja ka regjistruar edhe fitoren e gjashtë në po aq ndeshje të luajtura dhe mbetet ekipi i vetëm që nuk di ende për humbje në edicionin aktual. Të shtunën, Peja triumfoi në udhëtim te Sigal Prishtina për ta konfirmuar formën e mirë që po e kalon në fillim të këtij sezoni. Peja e fitoi derbin e xhiros së gjashtë me shifrat 95:80 për t’u forcuar në krye të tabelës me 12 pikë, dy më shumë se Prishtina që regjistroi humbjen e dytë.
Në fakt, Peja e siguroi fitoren në periudhë e fundit, në të cilën pati paraqitje fanastike. Këtë periudhë, Peja e fitoi bindshëm (30:9) për ta konfirmuar fitoren ndaj Prishtinës me 15 pikë dallim. Prishtina edhe pse e nisi mirë ndeshjen nuk arriti ta ruajë epërsinë e krijuar, e cila në fund të periudhës së dytë shkoi deri në 11 pikë (47:36). Prishtina e fitoi periudhën e parë – 25:19 – si dhe të dytë – 27:26 – por që Peja u rikthye në dy periudhat tjera. Të tretën, Peja e fitoi ngushtë (20:19), ndërsa të fundit me 21 pikë dallim (30:9) për të mbetur e pamposhtur.
“Nuk e nisëm mirë, por u bashkuam dhe u rikthyem në pjesën e dytë për të fituar. Ishte një ndeshje e fortë dhe atmosferë e mirë. Jam i lumtur me fitoren sepse Prishtina luajti mirë”, tha trajneri i Pejës, Rami Hadar.
Pesë basketbollistë të Pejës, e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore. Justin Davis me 17 pikë e 18 kërcime ishte më efikasi, ndërsa u dalluan edhe Jacob Calloway (20), Malcolm Armsead (13) e Jay Jay Chandler (12). Te Prishtina, më efikasi ishte kapiteni Dardan Berisha me 17 pikë të shënuara, i ndjekur nga Shaheed Davis (14 pikë, 9 kërcime) dhe Steven Davis (14 pikë), por që nuk mjaftuan për ta evituar humbjen.
“Luajtëm mirë, por këtë herë Peja ishte paksa më e mirë dhe e përgëzoi për fitoren. Po ashtu, këtë herë as fati nuk ishte në anën tonë”, tha trajneri i Prishtnës, Zydrunas Urbonas.