Për thirrjet anti-Kosovë dhe incidentet e tjera në stadiume, UEFA vazhdimisht ka ndarë gjoba për Federatën e Futbollit të Serbisë dhe klubet serbe.
Për shkelje të shumta nga tifozët serbë, Federata e Futbollit e Serbisë ka njoftuar të enjten se deri më tani ka paguar mbi dy milionë euro gjoba në UEFA.
“Futbolli serb, si kombëtar ashtu edhe ai i nivelit të klubeve, ka paguar një çmim të madh për vite me radhë për të gjitha format e diskriminimit të kryer nga individë apo grupe të papërgjegjshme në tribuna. Gjobat e larta nga UEFA dhe FIFA dhe ndeshjet pa shikues janë bërë pothuajse të zakonshme për futbollin serb. Tingëllojnë joreale, që vetëm Federata e Futbollit e Serbisë ka paguar më shumë se 2 milionë euro që nga pavarësia e saj në vitin 2006 për shkak të veprimeve të ndryshme të ekstremizmit të regjistruara nga UEFA dhe FIFA në ndeshjet thuajse të të gjitha ekipeve kombëtare”, shkruan në njoftimin e Federatës së Futbollit të Serbisë.
Më tej thuhet se shikuesit kanë qenë gjithnjë të paralajmëruar se për shkelje eventuale, do të gjobiten.
Vetëm në pesë vjetët e fundit, Federata serbe e futbollit është dënuar nga UEFA me 703 mijë e 375 euro për shenja dhe simbole të ndryshme të paautorizuara, fyerje dhe diskriminim në tribuna gjatë ndeshjeve të ekipeve përfaqësuese të Serbisë.
Në fakt, thirrjet e tifozëve serbë, mesazhet politike kundër Kosovës, janë të pranishme thuajse në çdo ndeshje të Serbisë apo klube serbe. Jo vetëm në futboll tifozët serbë bëjnë thirrje “Kosova është Serbi”, shfaqin flamurin e Serbisë mbi hartën e Kosovës dhe mbishkrimin “S’ka dorëzim”. Thirrjet anti-Kosovë janë të pranishme edhe në ndeshje të basketbollit dhe sporteve të tjera.
“Federata e Futbollit e Serbisë u gjobit me gjithsej 259 mijë euro për trazira në tribuna gjatë ndeshjeve të fundit të përfaqësueses A në Ligën e Kombeve (duelet kundër Zvicrës, Spanjës dhe Danimarkës në shtëpi dhe jashtë vendit. Vetëm për shkak të personave të papërgjegjshëm që shkaktuan incidente në Cyrih, në ndeshjen ndaj Zvicrës, Federata u dënua me 119 mijë e 750 euro. Kur të mblidhet gjithçka, pyetja është sa fusha të reja mund të ishin ndërtuar në të gjithë Serbinë?”, thekson në njoftimin e Federatës së Futbollit të Serbisë.
Federata e Futbollit e Serbisë në fund të njoftimit ka bërë thirrje të mos ketë incidente të tjera.
Futbollistët e Serbisë javën e ardhshme në Vjenë luajnë kundër Austrisë ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Kombeve. Ndeshja kthyese luhet në Beograd.
Në territorin e Serbisë do të luajë sërish Shqipëria.
Shqipëria e Serbia janë në një grup në kualifikimet për Kampionatin Botëror të vitit 2026 në futboll.
Ndeshja e parë luhet më 7 qershor në Tiranë, kurse ajo e kthimit në Serbi më 11 tetor.
Shqipëria e Serbia janë përballur në kualifikimet për “Euro 2016”. Ndeshja në Beograd, më 14 tetor 2014, u ndërpre pasi huliganët dhe lojtarët serbë sulmuan lojtarët e Shqipërisë. Kishte edhe thirrje të vazhdueshme antishqiptare. Fyerje dhe thirrje antishqiptare do të ketë sërish kur Serbia dhe Shqipëria të përballen më 11 tetor.