Për herë të parë Federata e Futbollit e Kosovës ishte nikoqire e një prej ngjarjeve të nivelit më të lartë ndërkombëtar. Në Prishtinë, sot, është mbajtur mbledhja e Komitetit HatTrick të UEFA-s, në krye me Karl-Erik Nilsson, njëherësh zëvendëspresidenti i UEFA-s, ku të pranishëm ishin të gjithë anëtarët e Komitetit HatTrick si Armand Duka, Marie Coipel, Wojciech Cygan, Niccolò Donna, Kaarlo Kankkunen, Armen Melikbekyan, Muamed Sejdini, Zoltán Roskó, Samuel Scheidegger, Ane Guro Skaare-Rekdal, Agim Ademi si dhe zyrtarë të UEFA-së nga departamente për projektet investive dhe zyrtarë të FIFA-s.
Takimi u hap nga kryetari i HatTrick Karl-Erik Nilsson i cili falënderoi FFK-në për mikpritjen e ngrohtë, derisa presidentit Agim Ademi ia dhuroi pllakën përuruese për ndërtimin e Kampit Nacional në Hajvali i cila është realizuar me mbështetjen e programit të UEFA-s, HatTrick.

Presidenti i FFK-së Agim Ademi si nikoqir dhe anëtar i Komitetit, në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi UEFA-n për bashkëpunimin e mirë, besimin e vazhdueshëm dhe në këtë rast për vlerësimin që Kosova të jetë nikoqire e një eventi kaq të rëndësishëm. Presidenti Ademi po ashtu falënderoi të gjithë anëtarët e Komitetit HatTrick për angazhimin dhe përkushtimin në zhvillimin dhe investimin në futbollin kosovar.
Gjatë takimit të mbajtur në Hotel Emerald, u prezantuan dhe shqyrtuan 22 projekte të paraqitura për aprovim në këtë Komitet nga federatat anëtare të UEFA-s.
Kosova ka aplikuar me kërkesën për 14 mijë ulëse për stadiumin në Kampin Nacional në Hajvali. Ky projekt ka kaluar dhe bashkë me projektet tjera të ndryshme kanë marrë aprovimin për mbështetje nga programi HatTrick, njëherësh programi më i madh për zhvillimin e futbollit dhe solidaritetin.


Pas përfundimit me sukses të këtij takimi, presidenti Ademi shtroi drekën zyrtare për delegacionin e këtij komiteti.
Kujtojmë se anëtarët e Komitetit HatTrick të UEFA-s kanë arritur të mërkurën në Prishtinë dhe kanë vizituar ambientet e Shtëpisë të Futbolli, ku janë njohur me investimet që FFK ka bërë në selinë e saj dhe janë takuar me stafin administrativ.
Gjatë ditës delegacioni ka vizituar edhe Kampin Nacional në Hajvali projektin më të madh të FFK-së deri më tani, i cili është përkrahur fuqishëm nga programi HatTrick. Ata panë nga afër edhe punimet që po bëhen në stadiumin më të ri në Kosovë i cili do të jetë vatër e të gjitha ndeshjeve të Kombëtares.
Pas aktiviteteve, i gjithë delegacioni u drejtua për në darkën zyrtare, së bashku me administratën e FFK-së, e ku presidenti Ademi, duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi dhe duke e konsideruar si një event madhor dhe historik dhe vlerësim për futbollin kosovar organizimin e një takimi kaq të rëndësishëm në Prishtinë, shprehu bindjen se Kosova do jetë vendi ku do të merren vendime në të mirë të futbollit evropian në përgjithësi.
Kujtojmë se programi HatTrick tash e 21 vite, ka financuar me mijëra projekte në vlera milionëshe.

