“Olympiastadion” në Berlin do ta presë finalen e 17 të Kampionatit Evropian të futbollit. Të dielën prej orës 21:00 është ndeshja që i jep fund një muaji të magjishëm futbolli.
Ka pasur ndeshje të mëdha gjatë Evropianit në Gjermani, por e nivelit shumë të lartë pritet të jetë edhe finalja e së dielës mes Spanjës dhe Anglisë.
Por cilat ishin finalet më të mira deri më tani?
Ka pasur disa ndeshje finale të paharruara prejse Evropiani nisi të zhvillohet në vitin 1960.
Sajti zyrtar i UEFA-s ka veçuar pesë finalet më të mira.
1988: BRSS – Holanda 0:2
Holanda e fitoi titullin e parë dhe të vetëm në ngjarjet e mëdha, duke e mposhtur 2:0 Bashkimin Sovjetik. Por ndeshja në Munih do të mbahet gjithnjë në mend për momentin e magjisë nga tri herë fituesi i Topit të Artë, ikona holandeze Marco van Basten.
“Topi po vinte nga Arnold Muhren dhe unë mendova, në rregull, mund ta ndal atë dhe të bëj gjëra me gjithë këta mbrojtës, apo mund ta bëj në mënyrë më të lehtë, të rrezikoj dhe të gjuaj”, ka shpjeguar Van Basten goditjen fenomenale me volej nga një kënd i vështirë që i dha “tulipanëve” epërsinë 2:0.
Ishte goli më i bukur në histori të Kampionateve Evropiane. Ruud Gullit kishte shënuar gol në pjesën e parë. Holanda e kishte ditën më të mirë të saj në histori.
1992: Danimarka – Gjermania 2:0
Askush nuk e ka vlerësuar Danimarkën në “Euro 1992”, ku ajo u paraqit si zëvendësuese e vonshme e Jugosllavisë së atëhershme. Por skandinavët dolën kundër të gjitha parashikimeve. E kaluan grupin, e mposhtën Holandën në penallti në gjysmëfinale dhe më pas e mposhtën Gjermaninë në finale me golat e John Jensen dhe Kim Vilfort.
Vetë lojtarët nuk po i besonin suksesit të arritur.
“Ishim si në ëndërr. Përnjëherë ishim në Kopenhagë, në sheshin e qytetit për të festuar me pjesën tjetër të Danimarkës. Në këtë pikë unë mendoja: e bëmë këtë, nuk është ëndërr”, ka kujtuar portieri Peter Schmeichel.
2000: Franca – Italia 2:1
“Ideja për të shkuar të gjithë në sulm ishte çmenduri absolute. Por ishte një gol i shkëlqyer”.
Kështu e përshkroi David Trezeguet momentin më të mirë në karrierë. Goli i artë i sulmuesit ia siguroi Francës titullin në “Euro 2000”. Franca ishte kampionia e parë në fuqi e botës që fitoi në Evropian.
Italia kishte kaluar në epërsi në pjesën e dytë me goditjen e Marco Delvecchios. Sylvian Wiltord shënoi gol të vonshëm për Francën për ta dërguar ndeshjen në vazhdime. Dhe për herë të dytë rresht, finalja u vendos me gol të artë. Njëjtë Gjermania kishte fituar ndaj Çekisë në “Euro 1996”.
2004: Portugalia – Greqia 0:1
Një prej befasive më të mëdha në futbollin modern ishte fitorja e autsajderes Greqisë ndaj Portugalisë në Lisbonë. Ekipi i Otto Rehagelit, që punonte shumë dhe ishte shumë mirë i organizuar, fitoi ndaj ekipit të përbërë nga lojtarë si Cristiano Ronaldo, Luis Figo e Deco.
Angelos Charisteas shënoi golin e fitores së madhe të Greqisë.
2012: Spanja – Italia 4:0
Pasi e fitoi Evropianin 2008 dhe Kupën e Botës 2010, Spanja kompletoi “hat-trickun” e pabesueshëm.
Fitoi 4:0 ndaj Italisë në finale për ta konfirmuar vendin e saj në mesin e përfaqësueseve më të mira të të gjitha kohërave.
Ekipi i Vicente del Bosques bëri një paraqitje emocionuese. Topi lëvizte bukur dhe golat po ashtu ishin të bukur. Në njërin prej golave, Xavi i dha top Fernando Torresit. Ai u shfaq jo egoist dhe pasoi për Juan Mata që e dërgoi topin në portën e zbrazët.
“Është një epokë e mrekullueshme për futbollin spanjoll dhe një kohë e mrekullueshme për të gjithë spanjollët”, tha selektori Del Bosque.
David Silva, Jordi Alba, Torres e Mata i shënuan golat.