Cristiano Ronaldo pritet të bëhet lojtari i parë që paraqitet në gjashtë kampionate evropiane, kur Portugalia të fillojë kampanjë në “Gjermani 2024” ndaj Çekisë. Por superylli Ronaldo nuk është kërcënimi i vetëm ndaj Çekisë që paraqiten për herë të tetë rresht në Evropian.
Ndeshja Portugali – Çeki zhvillohet të martën nga ora 21:00 në Leipzig.
Do të jetë përballja e katërt mes dy përfaqësueseve në Kampionate Evropiane. Çekët e kishin fituar ndeshjen e parë, 1:0, në vitin 1996. Portugalia kishte fituar në vitet 2008 e 2012. Portugalia i ka fituar katër ndeshjet e fundit me Çekinë, ndërsa nuk ka pranuar gol në tri të fundit.
Të dy përfaqësueset arritën në fazën nokaut në Euro 2020. Portugalia ishte mposhtur nga Belgjika në një të tetën e finales, kurse Çekia humbi në çerekfinale nga Danimarka.
Portugalia ka triumfuar në Euro 2016, ndërsa çekët duhet të kthehen në vitin 1976 për triumfin e dytë si pjesë e Çekosllovakisë. Antonin Panenka kishte shënuar penalltinë fituese duke dërguar topin me lehtësi mbi portierin që ishte shtrirë anash. Prej atëherë ajo formë e penalltisë njihet si “Panenka”.
Portugezët i fituan të gjitha ndeshjet në kualifikime dhe pritet të shkojnë larg edhe në Evropian.
“Stili i Çekisë është shumë i qartë. Ka të bëjë me rrezikimin, presionin e lartë, me lojtarë që dëshirojnë të shënojnë gola. Luajnë për të fituar dhe do të jetë ndeshje fantastike për tifozët neutralë”, ka thënë selektori i Portugalisë, Roberto Martinez.
Mbrojtësi i Portugalisë, Ruben Dias, ka folur për superyllin Ronaldo, që mund të vendos plot rekorde të tjera në Euro 2024.
“Cristiano prezanton atë që është e mundur të ëndërrohet dhe të realizohen shumë gjëra. Është kënaqësi që e kemi në ekip. Ne kemi përvojë me lojtarët më të vjetër që kombinohem me të rinjtë”. Të gjithë kemi përvojë në klubet tona dhe jemi gati për kampionate si ky.
Te Çekia pranojnë nivelin e Portugalisë.
“Na pret një sfidë e madhe. Do të luajmë ndaj ekipit me njërin prej lojtarëve më të mirë në histori të futbollit. Është gjithnjë e veçantë. Shumë ekipe kanë dështuar ta ndalin Ronaldon që të shënojë. Por ne do të provojmë më të mirën për të arritur këtë”, ka thënë selektori i Çekisë, Ivan Hashek.