Prishtina është fituese e Kupës së Kosovës në futboll për herën e dytë brenda tri edicioneve, dhe për herë të nëntë në histori.
Prishtina të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, e mposhti skuadrën e Llapit me rezultatin 1:0.
Ka vendosur goli i shënuar nga mesfushori Albin Krasniqi.
Krasniqi pas një ore lojë, gjuajti fuqishëm nga zona. Topi u devijua nga mbrojtësi Diar Vokrri dhe përfundoi prapa shpinës së portierit kroat Marijan Çoriq.
Dy minuta para se të shënohej goli që ia siguroi trofeun Prishtinës, nga loja te Llapi u përjashtua Arbnor Ramadani. Ramadani u ndëshkua me karton të verdhë dy herë brenda dy minutash.
Llapi, pavarësisht përpjekjeve, nuk arriti që të shënonte dhe mbetet me dy trofe të fituar në Kupën e Kosovës.
Për Prishtinën ishte finalja e tretë rresht.
Triumfoi në edicionin 2022-23 duke e mposhtur 2:0 skuadrën e Gjilanit në finalen e zhvilluar në Prishtinë.
Në edicionin e kaluar humbi nga Ballkani 4:2 pas ekzekutimit të penalltive. Koha e rregullt dhe vazhdimet e atij ballafaqimi ishin mbyllur 2:2.
Llapi do ta ketë edhe një ndeshje për ta zhvilluar në Superligën e Kosovës për këtë edicion.
Të dielën në shtëpi e pret skuadrën e Dukagjinit, që në fundjavën e kaluar e siguroi mbijetesën, bashkë me skuadrën e Prishtinës.
Llapi është i teti me 44 pikë, përkatësisht në zonën e barazhit. Dy pikë më pak i ka Suhareka.
Në rast të disfatës së Llapit dhe fitores së Suharekës, ekipi i drejtuar nga trajneri Tahir Batatina do të luante në kategorinë e dytë të futbollit kosovar në edicionin e ardhshëm.
Suhareka luan në shtëpi me Ballkanin.
Në rast të barazimit të Llapit dhe fitores së Suharekës do të shikohej goldallimi i skuadrave, pasi katër ndeshjet e ndërsjella mes tyre janë baras.
Dy fitore i ka Llapi e dy Suhareka.
Goldallimin më të mirë aktualisht e ka Llapi, -1, ndërsa Suhareka e ka -13.