Trepça e nisi ndeshjen kundër Sigal Prishtinës me palestrën e stërmbushur, por e përfundoi me humbje të thellë dhe pa tifozë në tribuna. Të shtunën, në ndeshjen hapëse dhe derbin e xhiros së 18-të të Superligës së Kosovës, Trepça pësoi në shtëpi nga skuadra e Prishtinës me shifrat 53:88.
Edhe pse pritej që kjo ndeshje të ishte një spektakël i vërtetë dhe atmosferë të zjarrtë në palestër, gjyqtarët u detyruan ta zbrazin atë. Për Trepçën, kjo ishte ndeshja e parë në shtëpi me tifozë pas përfundimit të dënimit me tri ndeshje pa praninë e tyre shkaku i incidenteve që ndodhën në duelin ndaj Pejës në muajin nëntor. Megjithatë, në fund të çerekut të tretë, ndeshja u ndërpre dhe rifilloi pasi u zbraz palestra me vendimin e delegatit të ndeshjes.
Ndërprerja ndodhi kur deri në fund të çerekut të tretë kishin mbetur pak më shumë se dy minuta lojë, ndërsa rezultati ishte 72:36 në favor të Prishtinës. Të pakënaqur me këtë rezultat dhe paraqitjen e ekipit të Trepçës, tifozët vendas filluan të hedhin gjësende, përpara se të fillonin edhe fyerjet në kor, të cilat ishin kryesisht të drejtuara kah Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe kryetarit të saj, Arben Fetahu.
Pas zbrazjes së palestrës dhe rifillimit të ndeshjes, Prishtina e kreu formalitetin ndaj Trepçës pas epërsisë së thellë që e kishte krijuar për ta shënuar fitoren e radhës.
Për ekipin nga kryeqyteti, kjo është fitorja e nëntë rresht dhe e forcon në pozitën e parë në tabelë me 31 pikë të tubuara. Ndërkohë, për trajnerin Ahmet Kandemir që javën e shkuar mori drejtimin e ekipit është fitorja e tretë në po aq ndeshje të luajtura.
Në anën tjetër, Trepça ka regjistruar humbjen e nëntë karshi nëntë fitoreve këtë edicion dhe renditet e katërta në tabelë me 27 pikë të mbledhura.
Trepça nuk e nisi ndeshjen mirë dhe u mbajt ndaj Prishtinës vetëm në katër minutat e para, përpara se ekipi mysafir ta fillojë shkëputjen dhe çerekun e parë ta mbyll me shifrat 21:9. Prishtina edhe në çerekun e dytë vazhdoi ta thellojë epërsinë dhe shkoi në pushim me një diferencë prej 21 pikëve (46:25). Periudha e tretë ishte fatale për Trepçën, pasi Prishtina nuk ndalej duke shtuar epërsinë, e cila shkoi deri në 34 pikë, përpara se të ndërpritej ndeshja.
Skuadra e Trepçës arriti ta fitojë çerekun e fundit, por kjo nuk pati asnjë vlerë, pasi epërsia e thellë e Prishtinës ishte e pamundur të shkrihej. Vendasit e fituan këtë çerek me katër pikë dallim (17:13), por u limituan në 53 pikë në total karshi 88 pikëve të shënuara të Prishtinës, e cila vazhdoi formën fantastike, të cilën e ka nisur prej xhiros së dhjetë.
Te Prishtina më efikasit ishin Dardan Berisha, Dustin Thomas e Brooks Debisschop, që realizuan nga 15 pikë secili. Debisschop shtoi edhe 14 kërcime për ta mbyllur ndeshjen me “double-double”. Në anën tjetër, Drilon Hajrizi ishte më i dalluari me 19 pikë, ndërsa përforcimi Will Daniels debutoi me 10 pikë e tre kërcime.