Sigal Prishtina ka fituar bindshëm ndaj Golden Eagle Yllit. Të martën mbrëma në Prishtinë, skuadra e kaltër fitoi me shifrat 74:54.
Ndeshja i ka takuar xhiros së 23-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Ky derbi është dashur të luhet fundjavën e kaluar, por u shty për shkak të angazhimit me përfaqësuese të trajnerit të Yllit, Adis Beqiragiq dhe basketbollistit të Prishtinës, Lejson Zeqiri.
Çereku i parë i ndeshjes ishte i barabartë, ndërsa në çerekun e dytë u bë dallimi i madh. Prishtina e fitoi periudhën e dytë me rezultat 25:11, ndërsa më pas e kontrolloi ndeshjen deri në fund. Epërsia e Prishtinës vazhdimisht ishte shumë e lartë.
Kapiteni Dardan Berisha udhëhoqi Prishtinën me 27 pikë, pesë asistime e katër kërcime.
Brooks Debisschop shtoi 12 kërcime e gjashtë pikë, ndërsa Jan Palokaj realizoi dhjetë pikë e katër kërcime.
Chris Harris i Yllit e mbylli ndeshjen me nëntë pikë e tetë kërcime. Henrik Shirko i kishte nëntë pikë e pesë kërcime, ndërsa më efikasi ishte Gëzim Morina me 11 pikë.
Tani Prishtina e Ylli kanë nga 40 pikë në pozitat një e dy. Lideri deri më tani ishte Ylli.
“Qëllimi ishte të fitojmë, pasi ndeshja vendoste se kush do të ishte lider i ligës. Më pas menduam për dallimin në pikë. Ishte një ndeshje e mirë e jona, sidomos në mbrojtje. Përqindja në gjuajtje ishte më e mirë se e Yllit. Në disa raste megjithatë gjuajmë më shpejtë se që duhet dhe kjo na largon nga loja jonë”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Ahmet Kandemir. Ai ka shfrytëzuar rastin që të kritikojë gjyqtarët e basketbollit kosovar. “Ekipet kanë shkuar shumë përpara, ndërsa duhet që edhe gjyqtarët të ecin para”, ka shtuar trajneri turk.
I nervozuar dhe i dëshpëruar është shprehur trajneri i Yllit, Adis Beqiragiq. Ai ka thënë se ndihet i turpëruar për paraqitjen e Yllit. Beqiragiq ka udhëhequr Yllin drejt dy titujve të kampionit.
“Në aspektin mental nuk ishim të gatshëm për ndeshje. Koncentrimi nuk ishte fare në nivel. Kemi pasur përqindje shumë të dobët të gjuajtjeve. Të gjithë kanë luajtur nën nivelin e tyre. Na duhet Lis Shoshi për të përballur ekipet e mëdha. Ne jemi ekip i rrezikshëm por na duhet edhe një lojtar për rotacion. Më vjen turp të shoh lojtarët e Yllit të luajnë kështu. Për herë të parë këtë edicion ndihem i turpëruar për mënyrën se si kemi luajtur”, ka theksuar Beqiragiq. Ai javën e kaluar e udhëhoqi Bosnjë-Hercegovinën.
Në pesë xhirot e fundit të stinorit të rregullt, Prishtina e Ylli pritet të zhvillojnë garë të fortë për pozitën e parë. Në xhiron e ardhshme, Prishtina është mysafire e Vëllaznimit, ndërsa Ylli e pret Pejën. Është ky një tjetër derbi i madh.