Basketbollistët e Sigal Prishtinës janë të vendosur që formën e mirë që po e tregojnë në kampionatin e Kosovës, ta bartin edhe në ENBL League. Në këtë garë, në të cilën Prishtina debuton këtë sezon, skuadra kosovare synon të kualifikohet në “Final Four”, pasi më herët ka avancuar nga faza e grupeve. Për ta prekur turneun final, Prishtina në fazën çerekfinale duhet ta eliminojë ekipin nga Polonia, King Szczesin.
Dueli i parë mes këtyre dy skuadrave zhvillohet të mërkurën prej orës 19:00 në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, ndërsa ai i kthimit luhet më 20 mars në Poloni.
Te Prishtina kanë pranuar se nuk do të jetë lehtë ndaj ekipit polak, por kanë insistuar se janë të motivuar maksimalisht për ta kaluar edhe këtë pengesë. Kapiteni Dardan Berisha, të martën për KOHËN ka thënë se patjetër duhet të marrin rezultat të favorshëm në duelin e parë në mënyrë që të jenë më të qetë në përballjen e dytë.
“Pres një ndeshje shumë të fortë, pasi kemi të bëjmë me një kundërshtar që është tejet cilësor dhe nuk do ta kemi aspak të lehtë. Mirëpo ne jemi përgatitur dhe jemi gati e të motivuar për ta fituar ndeshjen e parë për shkak se luajmë në shtëpi”, është shprehur Berisha. “Jam i bindur se do të jetë një ndeshje shumë interesante, ndërsa ne do të japim maksimumin nga vetja për të fituar dhe të kemi avantazh për ndeshjen tjetër që na pret në Poloni”.
Berisha për ta mposhtur ekipin kundërshtar pret edhe përkrahjen e fuqishme nga tribunat. Ai beson se “Plisat” do ta mbushin palestrën dhe do ta përkrahin Prishtinën drejt triumfit sikurse në çdo ndeshje tjetër.
“Edhe atmosfera besoj se do të jetë madhështore, pasi përkrahja e tifozëve tanë është shumë e rëndësishme në këtë garë, në të cilën po debutojmë dhe duam të shkojmë sa më larg”, ka shtuar Berisha.