Pas dy fitoreve rresht, serinë e Prishtinës e ka ndaluar skuadra e Dukagjinit. Ekipi nga Klina triumfoi në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në kuadër të xhiros së 28-të të Superligës së Kosovës në futboll. Përballja e zhvilluar të dielën, përfundoi me rezultatin 2:1 në të mirë të Dukagjinit.
Për Dukagjinin, kjo ishte fitorja e dytë rresht, e cila e ngrit në kuotën e 38 pikëve. 38 pikë i ka edhe Prishtina, e cila pas kësaj humbjeje ka rënë në pozitën e pestë në tabelë.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 9-të kur goditja e Blerind Morinës u devijua nga Muhamed Useini, i cili shënoi autogol. Prishtina u klundërpërgjigj në minutën e 26-të nëpërmjet Mërgim Pefqelit. Pefqeli shënoi gol të bukur pas harkimit të Albin Prapashticës nga krahut i majtë.
Në fillim të pjesës së dytë, Dukagjini shënoi golin që edhe ia siguroi pikët e plota në këtë udhëtim. Kapiteni Altin Merlaku (59’) shënoi nga afërsia pas asistimit të Ahmed Januzit.