Vedat Muriqi është bindshëm golashënuesi më i mirë i përfaqësueses së Kosovës në futboll dhe për një dekadë prej lojtarëve më të rëndësishëm.
Muriqi është nga Prizreni, ndërsa e ka nisur karrierën te klubi ikonik i këtij qyteti, Liria.
Dhe së shpejti figura e 31-vjeçarit mund të paraqitet edhe në një mural në qytetin e vjetër.
Propozimi për këtë është bërë tashmë. Është Lidhja Rajonale e Futbollit në Prizren (LRFP) që i ka propozuar Komunës së Prizrenit, përkatësisht Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, realizimin e një murali në nderim të Muriqit.
Sipas njoftimit të LRFP-së, iniciativa për këtë është e kryetarit të kësaj lidhjeje, Mirsad Çollaku.
Lidhjet Rajonale janë pjesë përbërëse e Federatës së Futbollit të Kosovës.
LRFP-ja ka shkruar se Muriqi është kapiten i Kosovës. Në fakt sulmuesi i fuqishëm është njëri prej kapitenëve, ndërsa i pari vazhdon të jetë Amir Rrahmani.
“Ky propozim synon të vendosë një vepër artistike publike në zemër të qytetit, si simbol i krenarisë lokale dhe frymëzim për brezat e rinj. Vedat Muriqi, lindur në Prizren, është shembulli më i mirë i suksesit të arritur përmes përkushtimit, kulturës dhe punës së palodhur. Ai ka arritur majat e futbollit ndërkombëtar, duke mbajtur me dinjitet fanellën e Kosovës dhe duke përfaqësuar qytetin e tij me krenari”, shkruan në njoftimin e lëshuar të hënën nga Lidhja Rajonale e Futbollit në Prizren.
Pasi shfaqi potencialin te Liria, Muriqi ka bërë rrugëtim të mahnitshëm në karrierë. Luajti më pas për Teutën e Durrësit dhe Besën e Kavajës në Shqipëri. Vazhdoi në Turqi te skuadra si Giresunspor, Gençlerbirligi, Rizespor e Fenerbahçe. Kishte periudhë jo shumë të suksesshme te Lazio në Itali, ndërsa prej fillimit të vitit 2022 është te Mallorca në La Liga të Spanjës.
Ka luajtur për Kosovën U21 dhe Shqipërinë U21, ndërsa prej vitit 2016 është pjesë shumë e rëndësishme e Kosovës A. Tani i ka 32 gola në 64 ndeshja dhe vazhdon të shënojë.
“Një mural për Vedatin nuk është vetëm një nder për të si individ, por një mesazh i fuqishëm për të gjithë të rinjtë tanë që ëndrrat janë të arritshme. Ai është model i jashtëzakonshëm që meriton të jetë pjesë e peizazhit kulturor të Prizrenit”, shkruan Lidhja Rajonale e Prizrenit.
Kjo organizatë ka lënë të kuptohet se nuk është caktuar ndonjë lokacion i përshtatshëm për muralin e Muriqit. Shpreson që të jetë në qendër të qytetit.
Muriqi i ka 118 ndeshje, 39 gola dhe 10 asistime në La Liga. Në Superligën e Turqisë i ka 112 ndeshje, 37 gola e 14 paraqitje. Në Serie A ka luajtur 38 ndeshje.
Kulmin e ka arritur te Mallorca, por prizrenasit i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë krenarë me kontributin e madh te Kosova.
