Kompania e njohur e veshmbathjeve sportive nga Gjermania, “Puma”, prej vitit të ardhshëm nuk do të bashkëpunojë me Përfaqësuesen e Izraelit dhe atë të Serbisë në futboll.
“Puma” të martën ka njoftuar se ka marrë vendim për ta ndërprerë marrëveshjen me Izraelin, e cila do të futet në fuqi me të përfunduar viti aktual. Në njoftimin e kompanisë gjermane thuhet se ky vendim është marrë para 7 tetorit, kur Hamasi e sulmoi Izraelin.
Krahas Izraelit, “Puma” ka njoftuar se nuk do të jetë sponsor as i fanellave të Përfaqësueses së Serbisë, e cila do të paraqitet në Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani.
Izraeli e Serbia do të zëvendësohen nga dy përfaqësuese të tjera me të cilat “Puma” tashmë ka arritur marrëveshjen dhe do t’i zyrtarizojë javët në vazhdim.
“Derisa dy përfaqësuese me të cilat sapo kemi nënshkruar do të prezantohen më vonë këtë vit dhe në vitin 2024, kontratat e disa federatave, si ajo e Serbisë dhe Izraelit, do të skadojnë vitin tjetër dhe nuk do të kemi bashkëpunim me to”, ka njoftuar zëdhënësi i kompanisë “Puma” nëpërmjet komunikatës.
“Puma” ka insistuar se vendimin për të mos vazhduar bashkëpunimin me Serbinë dhe Izraelin e ka marrë vitin e shkuar dhe kjo është pjesë e strategjisë së kompanisë, e cila ishte në përputhje me afatet e rregullta për dizajnimin dhe prodhimin e fanellave të ekipeve.
Zëdhënësi i kompanisë insistoi se arsyet e ndërprerjes së bashkëpunimit me Federatën serbe dhe atë izraelite janë financiare dhe jo të natyrës tjetër. Ai, po ashtu, tha se “Puma” do të vazhdojë të “vlerësojë të gjitha partneritetet e tjera ekzistuese, si dhe çdo mundësi tjetër të ardhshme për të siguruar që në listën e saj të ketë përfaqësuese të forta”.
Kompania gjermane kishte firmosur kontratën me Federatën e Izraelit në vitin 2018 për ta furnizuar me fanella, sikurse edhe atë të Serbisë. Prej tetorit të këtij viti, kur filloi konflikti në Lindjen e Mesme, “Puma” është përballur me thirrje nga aktivistët për të ndërprerë bashkëpunimin me izraelitët.
“Arsyet që kemi vendosur të ndërpresim bashkëpunimin kanë të bëjnë edhe me çështje financiare dhe jo gjëra të tjera. Si kompani kemi vlerësuar se kemi nevojë për të freskuar listën e ekipeve dhe kështu kemi vepruar”, ka shtuar zëdhënësi i kompanisë “Puma”.
Sa i përket Përfaqësueses së Serbisë, futbollistët e saj do të paraqiten në “Euro 2024” me fanellat e kompanisë gjermane, pasi tashmë është caktuar dizajni i tyre dhe së shpejti do të zbulohet. Pas Evropianit, Federata serbe do të kërkojë furnizues të ri të fanellave, ndërsa ajo e Izraelit tashmë ka nisur kërkimin.