Ermal Krasniqi dhe Albion Rrahmani ka gjasa të mëdha që të jenë sërish bashkëlojtarë në edicionin 2023/24. Megjithatë, ata nuk do të luajnë së bashku te Cluji, pjesë e së cilës aktualisht është Krasniqi, por te një ekip tjetër i Superligës së Rumanisë. Bëhet fjalë për skuadrën e Rapid Bukureshtit, e cila thuhet se tashmë i ka bërë ofertë zyrtare si Clujit ashtu edhe Ballkanit për lojtarët në fjalë.
Madje, e përditshmja rumune “Prosport”, ka shkruar se Rapidi ka ofruar në total 2 milionë euro për futbollistët kosovarë. Mësohet se për ta bindur Clujin në lirimin e Krasniqit, Rapidi ka ofruar 1.5 milion euro derisa për Rrahmanin, i ka ofruar Ballkanit 500 mijë euro.
Është njëri prej dy pronarëve të Rapidit, Dan Sucu, ai që po insiston në transferimin e kësaj dysheje gjatë këtij afati kalimtar. Sucu posedon 50 për qind të aksioneve te skuadra rumune, e cila edicionin e fundit përfundoi në pozitën e pestë në tabelë. Në rast se ofertat pranohen, atëherë Krasniqi e Rrahmani do të jenë bashkëlojtarë te skuadra e Rapidit këtë edicion. Dy lojtarët luajtën së bashku te Ballkani, përpara se Krasniqi në janar të këtij viti të transferohet te skuadra e Clujit.
“Dan Sucu po përpiqet ta forcojë ekipin me disa lojtarë për edicionin e ri, ndërsa ka identifikuar dy futbollistë nga Kosova për të cilët edhe ka bërë oferta zyrtare. Ai tashmë ka bërë një ofertë të majme për Ermal Krasniqin, i cili ka impresionuar me paraqitjet e tij edicionin e fundit te skuadra e Clujit. E krahas Krasniqit, ofertë ka bërë edhe për sulmuesin Albion Rrahmani, i cili është pjesë e skuadrës së Ballkanit”, ka shkruar gazeta rumune. “Për Krasniqin janë ofruar 1.5 milion euro, ndërsa për Rrahmanin 500 mijë euro”.
Krasniqi 24-vjeçar ka kontratë me Clujin deri në verën e vitit 2026, ndërsa më herët zyrtarët e ekipit rumun kanë deklaruar se janë të gatshëm të dëgjojnë ofertat për të. Te Cluji po kërkojnë të paktën 2 milionë euro për Krasniqin, i cili shënoi 5 gola dhe bëri 1 asistim në të gjitha garat edicionin e fundit për ekipin rumun. Në anën tjetër, Rrahmani pritet të largohet këtë verë nga Ballkani, pasi te skuadra nga Suhareka kanë pranuar se tashmë ka oferta nga skuadrat evropiane por që nuk kanë zbuluar emrat e tyre. Rrahmani edicionin e shkuar shënoi 30 gola për Ballkanin, ndërsa këtë edicion ka 1 gol në dy paraqitje në garat e UEFA-s.
“Te Rapidi besojnë se transferimi i këtyre dy futbollistëve do ta ndihmonte ekipin të jetë i suksesshëm këtë edicion”, ka vazhduar “Prosport”.
Edicioni 2023/24 në Superligën e Rumanisë tashmë ka filluar, pasi janë zhvilluar dy xhiro. Pas dy xhirove, Cluji prin në tabelë me 6 pikë të mbledhura, ndërsa Rapidi ka 4 pikë dhe renditet i katërti. Në dy fitoret e Clujit, sulmuesi i krahut, Krasniqi ka luajtur në total dhjetë minuta. Së fundmi, Krasniqi debutoi me Përfaqësuesen e Kosovës në ndeshje zyrtare. Ai u aktivizua në minutën e 65-të, në ndeshjen që Kosova e humbi 2:1 në udhëtim te Bjellorusia në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.