Cristiano Ronaldo është në vitrinë duke pritur blerësin e ri teksa fillon Botërorin e tij të pestë dhe ndoshta të fundit me Portugalinë. Të martën vonë, sulmuesi 37-vjeçari mbeti pa klub pasi Manchester Unitedi ia anuloi kontratën si rezultat i intervistës së tij shpërthyese që kritikonte trajnerin Erik ten Hag, pronarët e klubit dhe shumë nga shokët e tij të skuadrës.
Ronaldo duket se ende nuk ka gjetur ekip të ri, kështu që performancat e tij në Kupën e Botës mund të bindin ende punëdhënësit potencialë që ta transferojnë yllin portugez, i cili mund të ketë kaluar kulmin e tij, por mbetet një nga lojtarët më të mirë të futbollit. Duke folur para njoftimit se ai ishte larguar nga Unitedi me pëlqim reciprok, Ronaldo ishte i bindur se çështjet e klubit nuk do të ndikonin në paraqitjet e tij për Portugalinë në Kupën e Botës dhe nuk po prishnin atmosferën në skuadër që shkon në ndeshjen e Grupit H të enjtes kundër Ganës në “Stadium 974” në Doha prej orës 17:00. Kështu që, Ronaldo do të jetë maksimalisht i motivuar për ta shtyrë Portugalinë drejt triumfit në Kupën e Botës. Ronaldo nuk u paraqit fare të mërkurën në konferencën për shtyp të Portugalisë, ndërsa Bruno Fernandes tha se drama që rrethon përfaqësuesen portugeze dhe ish-bashkëlojtarin e tij tek Unitedi nuk është një shpërqendrim para duelit të parë në Katar.
“Fokusi ynë është 100% te ekipi kombëtar dhe jemi 100% të fokusuar në atë që duhet të bëjmë”, tha Fernandes.
Tani për tani, kjo do të thotë të kapërcejnë Ganën. Gana është skuadra me renditjen më të ulët në Kupën e Botës – në vendin e 61-të – dhe është autsajderi më i madh në një grup që përfshin edhe Uruguain e Korenë e Jugut. Megjithatë, Arabia Saudite tregoi se gjithçka është e mundur në këtë turne duke mposhtur Argjentinën e Lionel Messit të martën, dhe Gana në Botërorin e vitit 2010 ishte pranë kualifikimit në gjysmëfinale.
“Sigurisht që ne duhet të jemi shumë, shumë të guximshëm. Nuk frikësohemi nga Portugalia dhe do ta kërkojmë befasinë”, tha të mërkurën trajneri i Ganës, Otto Addo.
Gana ka gjithashtu disa lojtarë që kanë treguar formë të mirë këtë sezon, si Thomas Partey tek Arsenali dhe Mohammed Kudus që është pjesë e Ajaxit. Portugalia do të startojë si favorite, me trajnerin Fernando Santos që ka aq shumë thellësi në sulm, mesfushë dhe ka përvojën e udhëheqjes së ekipit drejt titullit të Kampionatit Evropian në vitin 2016.